Misioni Ministrisë

Ministria  e  Transportit  dhe  Infrastrukturës  ka  për  mision  hartimin  dhe  zbatimin  e politikës   së  përgjithshme  shtetërore  në  sektorin  e  transportit  dhe  infrastrukturës  në  Shqipëri nëpërmjet  hartimit,  përmirësimit  të  strategjive,  planeve  të  veprimit  dhe  të  legjislacionit në  këta sektorë, si dhe zbatimin e tyre.   

 

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

  • Përgatitjen  dhe  zbatimin  e  objektivave  e  të  politikave  të  qeverisë  për  zhvillimin  e transportit e të ujësjellës-kanalizimeve në të gjitha elementet përbërëse të tyre, si dhe për mbetjet urbane në aspektin e zbatimit të projekteve të tyre.
  • Hartimin  e  politikave  të  zhvillimit  të  transportit  dhe  infrastrukturës,  ku  bëjnë  pjesë infrastruktura   e   transportit,   përfshirë   edhe  atë  me   tubacione  për   ujësjellës-kanalizimet  dhe bashkërendimi i politikave të infrastrukturës së mbetjeve urbane në komponentin zbatues të tyre dhe ndjekjen e zbatimin e këtyre politikave në hallkat e varësisë.
  • Përcaktimin   e   tendencave  e   të   prirjeve   nga  analizat  statistikore   në  transport   e infrastrukturë,  hartimin  e  treguesve  makroekonomikë,  afatshkurtër  e  afatgjatë,  të  zhvillimit  të përgjithshëm,   si   dhe   hartimin,   zbërthimin   dhe   ndjekjen   e   treguesve   të   projektprogrameve ekonomike-financiare të investimeve.
  • Drejtimin,   menaxhimin,   supervizimin   dhe   vendosjen   e   standardeve   teknike   të infrastrukturës  së  rrjeteve  rrugore  e  hekurudhore,  tubacioneve,  porteve,  aeroporteve,  ujësjellës- kanalizimeve,  venddepozitimeve të mbetjeve dhe digave të mëdha të hidrocentraleve.  Përcaktimin dhe vendosjen e standardeve për të gjitha llojet e mjeteve të transportit dhe organizimin e drejtimit të kontrollit shtetëror të sigurisë teknike në sferën e shfrytëzimit.
  • Monitorimin  e  realizimit  të  standardeve  të  përcaktuara  në  funksion  të  zhvillimit  të infrastrukturës në transport,  ujësjellës-kanalizime,  si dhe të punimeve të ndërtimit për zbatimin e rregullave për kontrollin e disiplinimin e tyre në aspektin financiar dhe teknik.
  • Zhvillimin e hapësirës së nismës së lirë private në aktivitetet e shërbimit të llojeve të transportit, si dhe krijimin e kushteve për një konkurrencë të drejtë ndërmjet llojeve të transportit e zhvillimin e konkurrencës në sistemin e licencimit.
  • Shqyrtimin dhe propozimin në programimin e burimeve të financimit të brendshëm e të jashtëm  (me donatorë  të huaj dhe përmes  partneritetit  publik privat),  për  të mbuluar  nevojën e zhvillimit  të  ndërtimit  të  infrastrukturës  të  transportit  dhe  ujësjellës-kanalizimeve  e  të  mbetjeve urbane.
  • Bashkërendimin e punës me ministritë e tjera dhe institucionet ndërkombëtare financiare e shtete partnere të ndryshme, për sigurimin e burimeve të domosdoshme të financimit, në mënyrë që të krijojë mundësi zhvillimi dhe harmonizimi:

a) për ujësjellës-kanalizimet dhe trajtimin e mbetjeve me qëllim mbulimin sa më të gjerë të popullsisë me ujë, ruajtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës në vend;

b) për  të  gjitha  llojet  e  transportit  për  të  mbështetur  zhvillimin  e  ekonomisë  së  vendit nëpërmjet përmirësimit të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve.

  • Drejtimin,  përmirësimin,  zgjerimin  dhe  zhvillimin  e  shërbimeve  të  informacionit  në transport dhe infrastrukturë për sigurimin e burimit të të dhënave të gjithanshme e të vazhdueshme, për krijimin e kushteve lehtësuese të të gjithë përdoruesve dhe operuesve vendas e të huaj, si dhe të përshtatshme për t’u inkuadruar në sistemet evropiane të informacionit.
  • Negocimin,  përgatitjen  dhe  nënshkrimin  (me  autorizim  të  organeve  kompetente)  e marrëveshjeve të transportit dhe infrastrukturës,  sipas llojeve,  me shtete të ndryshme.  Zgjerimin e bashkëpunimit  me  komunitetin ndërkombëtar  përmes  aderimit  në  organizatat  ndërkombëtare  dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin prej tyre.

 

Ministria   kryen   të   gjitha   funksionet   administrative   brenda   fushës   përkatëse   të përgjegjësisë shtetërore,  përveç atyre që u delegohen shprehimisht institucioneve të varësisë apo u ngarkohen me ligj agjencive autonome.