Postuar më: 09 Qershor 2016

Deklaratë e MTI-së, pas pretendimeve se është rritur çmimi i kolaudimit të automjeteve

Në lidhje me pretendimet e disa mediave për rritje të çmimit të shërbimeve të kolaudimit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njofton opinion publik, se në datë 13 Maj 2016, kompania “SGS”, që ka konçesionin e shërbimit të kolaudimit të automjeteve, ka dorëzuar një kërkesë për të rishikuar tarifat e kontrollit me 6,7 %, rreth 200 lekë.

Kërkesa bazohet në pikën 8.2.2 të kontratës konçesionare të vitit 2009, që parashikon rishikim të tarifave çdo 3 vjet, për të reflektuar rritjen e normës së inflacionit.

Ministria e Transportit pas kësaj kërkese ka ngritur menjëherë një grup pune, I cili shqyrtoi kërkesën e “SGS”. Grupi I punës e vlerësoi si të parakohshme këtë kërkesë. Periudha kur palët sipas kontratës duhet të diskutojnë për tarifat bazuar në pikën 8.2.2 të kontratës, është Shtatori I vitit 2016.
I bëjmë thirrje disa mediave, të mos fabrikojnë të pavërteta, që dezinformojnë publikun, si dhe i ofrojmë mundësi të plotë për të marrë informacion pranë MTI.