Postuar më: 01 Shkurt 2016

Ministri Haxhinasto inspekton punimet në ujësjellsin e ri Sarandë. Ujësjellësi 24-orë ujë në ditë për zonën turistike.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar disa inspektime në punimet e Ujësjellësit të Sarandës, Landifillin në Bajkaj dhe Portin e qytetit. Inspektimet u zhvilluan në kuadër të pregatitjeve për sezonin e ri turistik.

Ndalesa e parë e zotit Haxhinasto ishte në kantierin e ujësjellësit të ri. Ministri tha se ky ujësjellës do garantojë furnizim për qytetin e Sarandës dhe zonës turistike për 24 orë në ditë. Ky projekt kap vlerën e investimit prej 6.7 ml eurove. Ministri nënvizoi se vepra do të jetë gati para sezonit turistik, duke ndihmuar banorët por edhe bisneset që operojnë në sektorin e turizmit.

Më tej ministri Haxhinasto, vijoi inspektimet në Portin e Sarandës, ku tha se po investohet në terminalin e ri të pasagjerëve, ku parashikohet një rritje me 20 % çdo vit të numrit të pasagjerëve. Ai tha se vetëm vitin e kaluar në këtë Port, kanë ndaluar 50 kroçiera, por me investimet e reja, Porti ka mundësi të rrisë kapacitetet.

Ndalesa e fundit e Ministrit Haxhinasto ishte në “Lanfillin e Bajkaj”, ku janë investuar 5 milionë dollarë. Ministri tha se Landfilli, duhet të futet në efiçensë ekonomike. Ndërkohë apeloi ndaj bashkive të dërgojnë mbetjet në landfill.