Postuar më: 31 Maj 2016

Ministri Haxhinasto merr pjesë në konkursin edukativ "Të sigurtë mbi dy rrota". Haxhinasto: Do të jemi shumë rigorozë në respektimin e rregullave për transportin e nxënësve

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në konkursin edukativ “Të sigurtë mbi 2 rrota”, organizuar nga “Automobile Club Albania”, dhe me pjesëmarrjen e nxënesve nga shumë shkolla të kryeqytetit. Ministri Haxhinasto, në fjalën e tij e vuri theksin te siguria rrugore për fëmijët, duke thënë se edukimi I brezit të ri, është një element I rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore. Ministri tha se do të ketë vëmendje maksimale në zbatimin e rregullave për transportin e nxënësve.

“Dëshiroj të falenderoj klubin “Automobil Albania”, që ka kohë që organizon aktivitete të shkëlqyera në funksion të promovimit të sjelljes në trafik. Promovon aktivitetet për të rritur sigurinë në rrugë. Por padyshim dua të falenderoj edhe fëmijët që marrin pjesë. Të jeni të bindur se efekti i kësaj pjesëmarrje është shumë i madh. Duke marrë pjesë në këtë konkurs, mësoni shumë për rregullat e sjelljes në trafik, për mënyrën se si ti jepni biçikletës në mënyrë të sigurtë. Por ju mësoni edhe si duhen rregullat e qarkullimit në rrugë, si të reflektoni ato, apo edhe si të ndihmoni familiarët dhe miqtë.

Çështja e sigurisë rrugore është me ndjeshmëri të madhe, dhe gjithë shoqëria jonë duhet të kontribuojë që ne të jemi sa më të sigurtë në rrugë, rrugët tona të jenë sa më të sigurta, dhe njerëzit të mos dëmtohen. Në vitin 2014, Qeveria ka miratuar një plan kombëtar për sigurinë rrugore, dhe një nga elementët më të rëndësishëm të këtij plani është edukimi i brezave të rinj. Dhe kjo i jep këtij aktiviteti një rëndësi të madhe, që jam I bindur do ndikojë drejtëpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore. Ministria e Transporteve e ka çështjen e fëmijëve në trafik, çështje prioritare.

Pak kohë më parë sëbashku edhe me Ministritë e Brëndshme dhe atë të Arsimit, kemi miratuar të gjithë rregullat që duhen zbatuar, për të rritur sigurinë e transportit të fëmijëve, veçanërisht me autobuzët e posaçëm për nxënësit. Do të jemi shumë rigoroz që të gjitha rregullat, të gjitha kërkesat e këtij trasporti, të respektohen nga shkollat dhe operatorët e ndryshëm të transportit. Nga ju kërkoj me shumë dashamirësi, që këtë përkushtim që keni për sportin dhe biçikletën, ta keni edhe për të përçuar te njerëzit e tjerë gjithçka që mësoni këtu. Me qëllim që të jeni misionarë dhe përçues të sigurisë rrugore”.