Postuar më: 30 Dhjetor 2015

Ministri Haxhinasto prezanton masat për sigurinë e transportit të fëmijëve

Njoftimi për shtyp

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto sëbashku me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe atë të Brëndshëm Saimir Tahiri,  prezantoi masat më të reja që forcojnë sigurinë e transportit të fëmijëve. Ministri theksoi se akti që u miratua pak ditë më parë, përcakton qartazi vetitë teknike që do të kenë automjetet që do kryejnë këtë shërbim, si dhe cilësinë dhe kualifikimin e duhur për drejtuesin e mjetit. Zoti Haxhinasto tha se mjeti nuk duhet të ketë më shumë se 10 vite që është prodhuar, dhe do të ketë ngjyrë portokalli që të dallohet lehtësisht në trafik. Pikë tjetër e rëndësishme është zgjidhja e problemit të ndalimit të automjeteve, ku me planin e ri do të jetë e përcaktuar qartë se ku mund të ndalohet.  Ministri Haxhinasto i bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që në këto ditë festash të jenë të kujdesshëm, dhe mos të drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit. Ai theksoi se në datë 21 Janar 2016,  fillojnë efektet e ndryshimeve në kodin rrugor, që kërkojnë përdorimin e ndenjëseve të posaçme për fëmijët nën 12 vjeç dhe penalizojnë drejtuesit në rast se nuk respektojnë sigurinë e fëmijëve në automjetet private.  

Fjala e plotë

2 ditë më parë Këshilli Ministrave miratoi një akt, që ka të bëjë me vendosjen e standarteve për transportin e fëmijëve, veçanërisht atyre që shkojnë në shkollë. Ju e shikoni që këtu janë janë edhe 2 ministra të tjerë, dhe me këtë rast dëshiroj ti falenderoj për angazhimin personal që kanë patur. Dalja jonë është një tregues shumë i qartë i rëndësisë së jashtëzakonshme, që i kushtojmë sigurisë së transportit të fëmijëve. Ky akt është pjesë e planit kombëtar të sigurisë në transport, miratuar më parë. Plan që është duke u zbatuar dhe ka patur efekte të ndjeshme, përsa i takon sigurisë rrugore në vend. Thelbi i aktit trajton,  standartizon dhe përcakton qartë cilësinë e drejtuesve të mjeteve. Përcakton qartë kualifikimet e tyre, përcakton integritetin dhe veçoritë që duhet të plotësojnë për këtë lloj shërbimi, pasi është një transport mjaft delikat dhe me përgjegjësi të lartë. Gjithashtu akti përcakton në mënyrë shumë të qartë vetitë teknike fizike të mjeteve që do përdoren për transportin e fëmijëve, që do të jenë të standartizuara, të uniformizuara me të njëjtën ngjyrë, me të njëjtin shkrim, në mënyrë që të jenë shumë të dallueshëm  në trafik. Por gjithashtu mjetet do të jenë më një vit prodhimi të përcaktuar, më pak se 10 vjet. Apo edhe element të tjerë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me stacionimin e tyre, ndalimin në zona të përcaktuara nga autoriteti arsimor sëbashku me atë rrugor, policinë e shtetit dhe pushtetit vendor. Zbatimi I këtij plani ka shumë elemente të planit kombëtar të sigurisë rrugore, është një përgjegjësi e gjithë institucioneve tona, e policisë së shtetit, e kontrollorëve të shërbimeve të transportit dhe sigurisht edhe e autoriteteve të arsimit, me qëllim që ti ofrojmë fëmijëve tanë që ndjekin arsimin parashkollor, ciklin e ulët dhe universitar standartin më të lartë të sigurisë. 

Në datët 21 janar 2016, fillon nga zbatimi dispozitat tashmë të amenduara të kodit rrugor që kanë të bëjnë me sigurinë e transportit të fëmijëve me mjete private. Kemi folur për ndenjëse të veçanta për fëmijët nën 12 vjeç, dhe për masa penalizuese  nëqoftëse fëmijët nuk trajtohen me sigurinë e nevojshme. Me këtë rast u bëj thirrje gjihë drejtuesve të mjeteve, në rastet e transportit të fëmijëve, në rastet kur fëmijët janë në automjetet që ata drejtojnë të kenë parasysh kërkesat që ka kodi rrugor. 

Meqë jemi dhe në prag festash dëshiroj të bëj dhe një thirrje ndaj gjithë drejtuesve të automjeteve që të jenë shumë të kujdesshëm, në momentin e drejtimit të automjeteve, të mos e drejtojnë nën efektin e alkoolit. Me qëllim që ta gëzojmë këtë vit të ri, dhe mos të kemi asnjë aksident në rrugët tona.