Postuar më: 27 Korrik 2016

Reagim nga MTI pas akuzave të opozitës për Rrugën e Kombit

Dje nga zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës është bërë një shpjegim shterues në lidhje me pretendimet e disa përfaqësuesve të PD përsa i takon dhënies me konçesion të përfundimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes se rrugës Milot Morinë.

Pavaresisht nga ky shpjegim sot dëgjojmë po të njëjtat pretendime dhe të pavërteta nga ana e një përfaqësueseje tjetër të PD.

Shprehim keqardhjen e thellë që qëndrimi i opozitës është apriori negativ ndaj konçesioneve që realizohen në këtë vend, ndonëse kompanitë pjesëmarrëse angazhohen në investime serioze që shkojnë në të mirë të publikut. Përveç këtij qëndrimi anti konçesionar në deklarimet publike shohim qartazi edhe të pavërteta të cilat ndonëse sqarohen publikisht, përsëri serviren si fakte nga PD.

E pavërteta e parë ka të bëjë me tarifën e aplikuar. Pretendohet se tarifa është 33% më e lartë se ajo e rekomanduar nga konsulenti. JO. Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa tvsh pra 3.63 euro cent për kilometër, meqënëse rruga është 114.5 kilometra e gjatë. Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në Korrik 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”. Konsulenti Egnatia Odos, financuar nga BERZH, në studimin për taksimin e rrugëve në Shqipëri, ka sugjeruar përdorimin e një tarife prej 3.5 euro cent për kilometër pa TVSh, dokumenti është prodhuar dhe miratuar në Dhjetor 2015, ndërsa procesi i tenderimit kishte filluar tashmë prej me shume se 1 viti. Diferenca me vlerën e përcaktuar nga IFC, institucion i Bankës Botërore, është vetëm 3.7 përqind çka konfirmon saktesinë e vlerësimit të bërë në 2014 nga IFC, institucion i Bankës Botërore.

Tarifa për përdorimin e rrugës është nën mesataren e rajonit. Kështu tarifa e aplikuar në Greqi varion nga 4.8 deri në 4.97 euro cent për /km, në Kroaci 4.94 euro cent për kilometër, në Maqedoni nga 3.33 deri në 4.47 euro cent për kilometër. Ndërkohë Shqipëria e ka 3,63 euro cent për kilometër.

Dëshirojmë t’i rikujtojmë opozitës, se në kohën kur proçedura u zhvillua gjatë qeverisjes së kaluar, tarifa për përdorimin e rrugës nuk u përcaktua nga qeveria, por u parashikua të ishte pjesë e ofertës së konçesionarit, dhe pritshmëria e qeverisë se kohës ishte në vlerën 8.4 Euro me tvsh, ose 7 euro pa tvsh ose 6.14 euro cent për km ose 69% më e lartë se tarifa që kundërshtohet sot nga opozita. 

E pavërteta e dytë ka te bejë me pretendimin për ndikimin në ekonominë e banorëve të zonës. Sqarojmë se për banoret e zonës do të ketë tarifa të tjera duke aplikuar në bashkëpunim me IFC dhe supervizorin një skemë lehtësimi të ndjeshëm dhe përjashtimi për tarifat që do të aplikohen për banorët e zonës. Gjithashtu do të jenë të përjashtuara nga pagimi i tarifës të gjitha mjetet e shërbimeve publike dhe të ushtrisë.

E pavërteta e tretë ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrugës. Konçesioni parashikon investime kapitale nga konçesionari në shumën 50.6 milion euro si investim fillestar të domosdoshme për përfundimin e kësaj rruge, ndërtimin e urës së re të Kukësit, për lidhjen e re me rrugën Kukës-Morinë si dhe për përmirësimin e skarpatave të rrugës të cilat nga shkarjet dhe rëniet e vazhdueshme kanë rrezikuar seriozisht deri edhe jetën e përdoruesve të rrugës. Me tej koncesionari investon edhe 320 milion të tjera gjatë periudhës koncesionare në mirëmbajtje dhe operim të rrugës.

E pavërteta 4, ka të bëjë me nevojat për mirëmbajtje të kësaj rruge dhe rrugëve në përgjithësi. Ndryshe nga sa pretendohet nga opozita, vetëm gjatë 2 viteve të fundit janë investuar në infrastrukturën rrugore kombëtare rreth 40 milion USD në mirëmbajtje dhe sinjalistikë, investime të paprecedenta në vitet e mëparshme. Për të mos përmendur projektin 5 vjeçar ku së bashku me B.B qeveria do investojë rreth 130 milion dollarë për mirembajtjen e 1,300 km kryesore të rrjetit rrugor. 
Me cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dëshiroj të shpreh edhe një herë gatishmërinë e plotë të të gjithë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të gjithë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për ta vazhduar ashtu siç kemi bërë deri më sot, me transparencë maksimale vleresimin e këtij konçesioni, vlerësim i cili është bazuar në raportet vleresues të ardhur nga konsulenca ndërkombëtare e “IFC”, institucion i Bankës Botërore.

Sekretari i Përgjithshëm i MTI, Eduard Seitaj.