Postuar më: 06 Shkurt 2016

Reagim pas akuzave të PD, për rrugën Tiranë-Elbasan

Deklaratë nga Këshilltari për Mediat në MTI, Arbër Hitaj.

Gjate protestës së sotme të Partise Demokratike në qytetin e Elbasanit, deputetë të kësaj force politike janë shprehur, midis të tjerave, se “rruga Tiranë-Elbasan ka dy vite e gjysëm që ka mbetur peng i qeverisë”. Problematika e jashtëzakonshme e trashëguar e veprave publike në Shqipëri duhet ti kishte bërë deputetet e nderuar, që të paktën të heshtnin, në shenjë të një njohje dhe pendimi për përgjegjësitë e tyre dhe forcës politike që përfaqësojnë. Por, është e dukshme, që mungesa e përgjegjësisë dhe politizimi nga ana e tyre nuk njeh kufinj.

Përfaqësuesit e opozitës duhet ta dinë shumë mirë që projekti i rrugës Tiranë- Elbasan, ndonëse shumë i rëndësishëm për banorët e Elbasanit dhe të gjithë Juglindjes, është projekti me tipik i përdorimit, për qëllime elektorale të një vepre që bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptare.

Projekti i kësaj vepre, u modifikua disa herë, në dëm të cilësisë e standarteve, për të fituar kohë e për të arritur inagurimin përpara zgjedhjeve të 2013-tës. Dhe kostot jemi të detyruar ti paguajmë sot, për parregullsi ligjore, për mungesë projektesh gjeologjike, për fatura të mëdha financiare, si pasojë e disa shkarjeve të mëdha të masivit shkëmbor përgjatë kësaj rruge.

Na është dashur të përmirësojmë ndjeshëm projektet teknike, që shpesh shëmtonin edhe zonat më të bukura turistike të vendit, siç ishte ai i rrugës Lin –Pogradec. Sindroma e cilesisë së ulët të projekteve të infrastrukturës, është mjaft e përhapur në gjithë çka është ndërtuar në vitet e kaluara. Përballemi çdo vit me kosto të jashtëzakonshme të përfundimit të veprave, siç është fatura prej 100 milion eurosh për Rrugën e Kombit, apo ajo prej mbi 200 milion eurosh për Rrugën e Arbrit, për mirëmbajtje e riparime të paparashikuara, si ajo e rrugës Elbasan – Librazhd apo Milot –Rrëshen.

I shtohet kësaj borxhi i madh prej mbi 120 milion euro, lënë në kurriz firmave ndërtuese, dhe gropa e madhe prej 80 milion euro në dëme, e krijuar nga mungesa e investimit në mirëmbajtje. Për të mos folur pastaj për bilancin katastrofal të sigurisë së trashëguar në rrugë, që merrte çdo ditë jetën e një qytetari. 

Për situatën mesjetare në sherbimet e transportit rrugor të pasagjerëve apo transportin hekurudhor. Apo për monopolet vjedhëse që na u lanë në derë, mbrojtur nga kontrata “të kopsitura” mirë ligjërisht.

Sigurojmë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, se qeveria është e angazhuar maksimalisht për të përfunduar sa me pare, Rrugën Tiranë-Elbasan dhe te gjithë veprat e lëna me problematika të mëdha, por pa e shtuar koston në xhepat e tyre. 200 km rrugë të reja kanë përfunduar vetëm gjatë viteve 2014-2015, dhe do të vazhdojmë me përkushtim, të përfundojmë me standarte e cilësi projekte të tjera të rëndësishme për vendin, rajonin dhe rrjetin Evropian të infrastrukturës.