Postuar më: 05 Shkurt 2016

Takimi i komisionerëve mes Ministrave të Transportit Shqiptar dhe Grek. Zgjidhje e disa shqetësimeve të operatorëve të transportit të pasagjerëve

Në datat 28-29 janar 2016, në Tiranë, u zhvillua takimi i Komisionit të Përbashkët për transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Në takim palët ranë dakord për zgjidhjen e disa shqetësimeve të ngritura nga pasagjerët dhe transportuesit e të dyja vendeve:

1- Transportuesit e të dyja palëve detyrohen që të informojnë paraprakisht autoritetet kompetente për përfundimin e bashkëpunimit në linjat e caktuara, brenda një periudhe 3 mujore. Gjatë kësaj periudhe, partneri i cili dëshiron të ndërpresë kontratën do të jete i detyruar a) ose të vazhdoje operimin e linjës me autobus për këtë periudhë me qellim sigurimin e vazhdimësisë së shërbimit për qytetarët ose b) ti sigurojë partnerit të mbetur që kërkon të vazhdojë operimin e linjës i vetëm, vendin e nisjes se autobusëve dhe shërbimin e agjencisë. Të dyja palët marrin përsipër të aplikojnë sanksione dhe gjoba për moszbatimin e kësaj dispozite nga transportuesit përkatës.

2- Palët ranë dakord që të shtyjnë automatikisht të gjitha autorizimet aktuale të transportit të udhëtarëve për një periudhe tranzitore 4-mujore, deri në 31 maj 2016, brenda së cilës të gjithë shoqëritë e interesuara do të pajisen me autorizimet e reja pasi të paraqesin dokumentacionet përkatës për marrjen e autorizimeve të reja, në Ministritë përkatëse. Me qellim vazhdimin e kryerjes së shërbimit në linjat e rregullta, Pala shqiptare ka njoftuar të gjithë autoritetet shqiptare te kontrollit për lejimin e kryerjes së shërbimit nga operatorët, te cilët aktualisht janë të pajisur me Autorizim.

3- Palët ranë dakord që afati i vlefshmërisë së autorizimeve në transportin e pasagjerëve për të dyja palët do të jetë 3 vjeçar, me qëllim stabilizimin e mëtejshëm të linjave të transportit të pasagjerëve mes dy vendeve dhe operatorëve përkatës.

4- Palët ranë dakord në parim për nevojën e riformatimit të linjave të miratuara për transportin e pasagjerëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, bazuar mbi disa parime bazë si:
- përcaktimi i 8 linjave kryesore;
- mospërcaktimi si stacion i ndërmjetëm i qyteteve të origjinës;
- shfuqizimi i linjave të detyrueshme ndërkufitare.

5- Palët ranë dakord për nevojën e studimeve më të thelluara për sa më sipër, ndërsa u angazhuan ti kryejnë këto studime brenda dy muajsh dhe të mblidhen përsëri për të vendosur.

6- Në takim u kërkua mbështetja e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Rrjeteve të Greqise për përfshirjen e rrjetit hekurudhor shqiptar në Projektin TEN-T, zgjatja e të cilit përfshin Rrjetin hekurudhor shqiptar si lidhje Pogradec- Kapshticë (Kristallopigi), dhe zgjatimin si lidhje me hekurudhën e Greqisë. Pala greke u angazhua për mbështetjen dhe miratimin në një kohë të shpejtë të këtij projekti.

7- Pala shqiptare kërkoi që të përdoren si të vlefshme biletat e të dyja vendeve. Vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme, pas miratimit nga ministritë respektive të financave.