Postuar më: 02 Korrik 2015

156 milion dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve për pesë vitet e ardhshme.

Dua të bëj disa sqarime sepse mendoj se është një projekt, një ligj do të thoja më mire, i cili bëhet për herë të parë në vendin tonë, për vetë impaktin që parashikon të ketë për të ruajtur sistemin tonë rrugor, veçanërisht atë rrjet rrugor që është rrjeti kombëtar rrugor, rreth 1300 km për të cilat është investuar në mënyrë të jashtëzakonshme këto 20 vitet e tranzicionit. 

Unë në fakt desha t’a përgëzoj parafolësin që ishte i vetmi ndër diskutantët sot që u mor të paktën me aktin ligjor sepse të tjerët u morën me çështjen e zgjedhjeve, duke u përpjekur të gjejnë një kauz politike, pasi ajo mungon në fakt për opozitën, por në substancë më vjen keq të them që ishte shembulli ekselent i asaj që “ç’më duhet mua se çfarë them unë”.

Ky është një projekt, të nderuar deputetë , i cili bëhet për herë të parë në vendin tonë me përmasa të tilla. Janë 80 milionë $ të dhënë nga Banka Botërore dhe 50 milionë $ të dhënë nga Qeveria Shqiptare për pesë vitet e ardhshme, që kanë si synim, të kthejnë në gjendje mirëmbajtje rutinë, kjo është e rëndësishme të kuptohet, në gjendje mirëmbajtje rutinë, sistemin tonë kryesor rrugor. 1300 km të sistemit tonë rrugor pasi difektet dhe mungesa e financimit në të kaluarën e ka lënë atë sistem në gjendje të mjerueshme . U përmend këtu se nuk është investuar gjatë vitit 2014 apo gjatë këtij viti për sa i takon mirëmbajtjes, por mund të them që në 2014-tën është dyfishuar fondi për mirëmbajtjen. Nga 1.2 miliard ka shkuar në 2.4 miliard dhe kjo nuk është një çështje statistikore por është një çështje që ka të bëjë me jetën e njërëzve .

U tha përsëri këtu se aksidente ka pasur më shumë në rrugët tona ndërkohë që realiteti është krejtësisht tjetër . Është gjetur me një aksident në ditë me vdekje dhe brenda vitit 2014 është ulur me 26% aksidente vdekje dhe aksidente të rënda , dmth aksidente të tilla që njerëzit nuk rekuperoheshin më , nuk ktheheshin më në aktivitet normal jetësor , pra një diferenc e madhe apo jo?

Ndërkohë që, gjatë këtij viti parashikohen 2 investime të tjera të rendësishme për dy segmente kryesore të sistemit tonë rrugor, që është segmenti Rrogozhinë –Qafë Thanë dhe Fushë-Krujë –Hani Hotit, madje ashtu si segmenti Rrogozhinë –Sarandë, do sjelli totalisht një situatë të re në gjendjen e sigurisë në rrugët tona. 

Meqë mora fjalën të nderuar qytetarë më lejoni gjithashtu të them dhe dy fjalë për disa pretendime që u hodhën për sa i takon zgjedhjeve në Cërrik. U aludua se ka patur parregullsi , se ka patur ushtrim dhune , se ka patur manipulime e blerje votash. 

Kjo tregon se sa larg janë përfaqësuesit e nderuar të opozitës nga realiteti, se sa shumë e kanë humbur sensin e realitetit, dhe sa shumë nuk e kuptojnë se çfarë duan qytetarët e këtij vendi.

Rasti i Cërrikut ishte rasti ekselent, i një dëshire për ndryshim, i zgjedhjeve me standarte më të larta, i një angazhimi publik do të thoja shumë të gjërë, për mos lejuar kandidatin e opozitës  të blinte vota me miell apo me para, ishte rasti ekselent ku fiton një kandidat i cili do ta transformojë Cërrikun, një djalë i cili është i përkushtuar për të ndryshuar jetën e qytetit të tij, prandaj po e përfundoj aty ku e nisa:

Përpjekja që zgjedhjet dhe standardi i tyre të kthehen në kauzën politike të kësaj opozite  do të hajë shumë kohë, do të hajë shumë energji, por fatkeqësisht nuk mund të errësojë dhe të përbaltë një proçes zgjedhor i cili në mënyrë shumë evidente dhe shumë të qartë është dukshëm më i mirë se cdo proçes  tjetër i mëparshëm.

Faleminderit.