Postuar më: 17 Nëntor 2014

Fjala e Ministrit Haxhinasto në Kuvendin e Shqipërisë mbi Miratimin e Projektbuxhetit 2015

Ju falenderoj i Nderuar Kryetar, 

Të nderuar Deputetë,

Buxheti i ri, që diskutojmë sot konsolidon më tej buxhetin e kësaj mazhorance për rritjen e efektshmërisë së politikave të saj për stabilizimin e mëtejshëm makro-ekonomik, për reduktimin e informalitetit, për rritje të punësimit e në mënyrë të veçantë për nivele më të larta të rritjes ekonomike, me synim të qartë për t’i dhënë vendit më shumë mirëqenie, për t’ju shërbyer qytetarëve më cilësisht.

Këtyre qëllimeve u shërbejnë edhe politikat sektoriale, që ky buxhet mbështet, ndonësë duhet thënë qartë, se tërësia e politikave që ky buxhet mbështet ka dhe një efekt social të përgjithshëm, vendos një raport të ri me qytetarin, sa i takon mardhënies së tij me standardin me cilësinë e shërbimit, me rregullin dhe me sigurinë. Kjo është evidente edhe në buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Buxheti i ri do të mbështesë filozofinë tonë për më tepër siguri, për më tepër qëndrueshmëri investimesh, nëpërmjet planifikimit më të mirë, realizmit dhe mirëmbajtjes cilësore, për një vështrim të sektorit të transportit në tërësinë e tij me të gjithë elementët përbërës, për t’i shërbyer si ekonomisë si çdo qytetari në vend. Me këtë buxhet investimet publike në rang ekonomie janë planifikuar 5.4% të produktit të brendshëm bruto, ku peshën më të madhe të investimeve e përmban Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, me rreth 53.3% të tyre. Në buxhetin e vitit 2015 krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014 kemi një rritje prej 7.35% apo 2.76 miliardë lekë më shumë. 

Politikat tona do të sjellin progres në një sërë fushash që ne mbulojmë. Së pari, do të realizojmë detyrimet që kanë të bëjnë me integrimin tonë në Europë, me përafrimin e legjislacionit në fushën e transportit dhe infrastrukturës duke nxitur shërbime transporti të sigurta dhe efektive që respektojnë mjedisin, të cilat i bëjnë shërbimet edhe më cilësore. Më tej, me zhvillimin e rrugëve dhe infrastrukturës, hekurudhave, porteve dhe aeroporteve, me planifikimin e burimeve financiare për zhvillimin e sistemit në mënyrë të harmonizuar, për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë dhe të plotësohen të gjithë detyrimet që kemi për rrjetin rajonale të transportit . Tjetër prioritet që e arrijmë me këtë mbështetje buxhetore është përmirësimi i sigurisë, cilësisë dhe besueshmërisë së sistemeve të transportit për krijimin e një transporti të qëndrueshëm edhe nga pikëpamja e mjedisit. Po kështu jemi bazuar në disa konsiderata të rëndësishme për të shmangur krijimin e detyrimeve të reja apo të minimizojmë detyrime kontraktuale për projekte në proçes zbatimi, ashtu dhe të respektojmë gjithë këtë plan të rëndësishëm duke vendosur dhe kriterin e prioritarizimit, për t’i shërbyer më mirë lëvizjeve të mëdha demografike, për t’ju shërbyer më mirë potencialeve ekonomike të zhhvillimit të vendit apo dhe vetë sistemit të transporteve duke ndarë në mënyrë të balancuar peshën midis mënyrave të ndryshme të tij. 

Më konkretisht mund të  shprehim se buxheti i adreson mirë objektivat e transportit rrugor, me qëllim arritjen e sigurisë së transporit rrugor, një objektiv madhor duke sjelle standarde europiane, duke përmirësuar ndjeshëm sinjalistikën dhe duke eleminuar pikat e rrezikut. Ne do të realizojmë intesifikimin e mirëmbatjes së rrugëve nëpërmjet përmirësimit të administrimit të tij, shoqëruar nga një reformë e thellë në pushtetin vendor, duke shtuar në mënyrë të veçantë fondet buxhetore, duke aplikuar forma të reja në mirëmbajtjen e rrugëve, edhe konçesionin kam parasysh këtu, duke vënë në efiçensë prioritare rrugët që lidhen me zonat turistike të vendit dhe ato kufitare. Mbështetja buxhetore sa i përket këtyre objektivave tona do të bëhet përmes planit tonë të investimeve që arrin rreth 21.8 miliardë Lekë. Ne kemi konsideruar si të rëndësishme disa nga akset kryesore, si aksin Milot-Lezhë, Rrugën e Kombit, aksin Plepa-Rrogozhinë, akset turisiktike të bregut të Jonit, aksin e liqenit të Pogradecit  , rrugët turisitike të Alpeve, unazën e re të Tiranës, rrugën Lushnje-Berat, Buzuq-Corovode dhe të tjera .                                        
Siguria rrugore vazhdon të jetë prioritare në kuadër të investimeve. Ajo ka rritjen më të madhe në këtë buxhet duke u dyfishuar me 1 vit më parë . ivenstimet e këtij zëri do të shkojnë kryesisht për aksin Fier-Vlorë-Sarandë-Butrint, për aksin Rrogozhinë-Elbasan-Pogradec-Korçë, për aksin Tiranë-Shkodër, Aksin Milot-Morinë dhe të tjera. Për zërin mirëmbajtje do të realizojmë një projekt të dedikuar, që vetëm për vitin 2015 shkon rreth 17 milionë Usd. 

Sa i përket objektivave tona në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve mund të them se janë ambicioze. Do të realizojmë zgjerimin dhe përmirësimin e rrjeteve dhe cilësisë së shërbimeve, veçanërisht me ujë të pijshëm, nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit në zonat urbane në masën 95% dhe në atë rurale rreth 79% dhe sigurisht do të rrisim mesataren e furnizimit në shkallë vendi me ujë të pijshëm në 16 orë/ditë. Po kështu një objektiv i rëndësishëm në shërbimin dhe rritjen e cilësisë në kanalizime është mbulimi me rrjet kanalizimesh në zonat urbane me rreth 86% dhe atyre rurale rreth 25%. Do të vazhdojmë gjithashtu përfundimin e mjaft impianteve për pastrimin e ujërave të ndotura, për të marrë kështu një impakt të menjëhershëm në mjedis, për tu shërbyer mbi 400.000 banorëve , veçanërisht në Sarandë, Vlorë e Velipojë.                                             

Një reformë të thellë do të realizojmë dhe në menaxhimin e këtyre aktiviteteve, synojmë të mbulojmë 100% të kostos totale së operimit, që do të thotë të reduktojmë nivelin e ujit të pafaturuar në 48% , pra një sfidë e madhe , së bashku me sfidat e tjera me uljen e kostos së energjisë që ka sektori, shoqëruar me uljen e humbjeve të larta në rrjet dhe me rritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë system shumë të rëndësishëm. Mbështetja buxhetore për vitin 2015, për ujësjellës-kanalizime sjell një rritje me rreth 15% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014  3.7 miliardë Lekë një shumë e konsiderueshme që do të realizojë mbylljen e gjithë projekteve që kanë filluar në vitet 2012-201. Do të vazhdojmë me projekte të reja me impakt të madh në jetën e qytetarëve, ku më të rëndësishmet për tu përmendur janë; Programi  komunal 1 ku përfitojnë qytetet Fier, Sarandë Gjirokastër Lezhë apo Programi komunal 2, ku përfitojnë qytetet Berat Kuçovë, Fier dhe Sarandë, si dhe projekti i rëndësishëm i ujësjellësit për qytetin e  Durrësit.

Përfitime kanë dhe sektorët e tjerë, si transporti detar, që do të vazhdojë të mbështetet nga fondet buxhetore për të rritur investimet në portin e Durrësit dhe atë të Vlorës, për vendosjen e një sistemi monitorimi për administrimin detar, për zgjerimin e terminaleve të pasagjerëve në portin e Sarandës apo vazhdimin e thellimit të portit të Shëngjinit.

Mbetjet urbane janë po ashtu një zë i rëndësishëm i fondeve buxhetore për vitin 2015, si zëra të veçantë mund të përmend; administrimin e mbetjeve të ngurta në juglindje të vendit, siç është ai i depozitimit të Maliqit, përfundimin e ndërtimit të venddepozitimit në qytetin e Corovodës, disa studime vizibiliteti si ai i landfild-it rajonal të Vlorës apo përmbyllja e disa landfilld-eve në Durrës, Sarandë e Vlorë. Ky sektor, siç e kemi shprehur dhe herë të tjera duhet domosdoshmërisht të realizojë një reformë të madhe duke filluar nga reforma instutucionale, me qëllim që ta bëjmë sa më të thjeshtë angazhimin e mobilizimin e investimeve private në këtë sektor kaq të rëndësishëm për mjedisin dhe mirëqënien e qytetarëve.

Zë tjetër i rëndësishëm është ai i transportit hekurudhor, i cili kryesisht përqëndrohet në zërin e studimeve. Hekurudha ka qenë e harruar në sektorin e transportit, por zhvillimet e vitit 2014 kanë treguar se është një sektor me potencial të madh dhe se mund të jetë një transport miqësor me mjedisin dhe një transport me kosto më të lirë, duke shërbyer sa më mirë ekonomisë. Ndaj duhet t’i hapim një rrugë reale zhvillimit të investimeve reale këtij sektori duke bërë para së gjithash një sërë studimesh. Në këtë buxhet do t’i hapim rrugën studimit për linjën Tiranë-Durrës, realizimin e lidhjes së kësaj linje me Rinasin, si dhe realizimin e nje studimi tërësor ekonomik për rrjetin hekurudhor shqipëtar.

Në përfundim, të nderuar deputetë, mund të them se si nga përzgjedhja e prioriteteve, mënyra e financimit të tyre, politikat e identifikuara nga kjo qeveri do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, do të krijojnë hapësirën me qëllim që të ndërmerren reforma të thella në seicilën prej tyre, për tu afruar sa më pranë  standardeve europiane në fushën e transportit dhe infrastrukturës dhe për t’ju shërbyer sa më mirë qytetarëve shqipëtar, ndaj dhe për këtë ju ftoj që ta miratoni këtë buxhet.

Ju faleminderit!