Postuar më: 11 Qershor 2015

Fjala e Ministrit Haxhinasto në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin “Mbi Marrëveshjen e Grantit për Projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri, financim i BERZH”

I nderuar Drejtues i seancës, Të nderuar Deputetë

Po them dy fjalë sa i përket këtij projektligji, ndonëse parafolësit e grupit parlamentar të PS dhe LSI i parashtruan shumë drejtë rëndësinë dhe impaktin  që sjell miratimi i këtij akti të sotëm. 

Për të bërë një studim të mirëfilltë për lidhjen hekurudhore Tiranë-Durrës dhe Rinasit, si dhe për të pasur një studim fisibiliteti për rrjetin hekurudhor shqiptar mund të them që hekurudha shqiptare, në këto 2 vitet e fundit  ka hyrë në trasenë e rivitalizimit të saj. Gjendja ku është gjetur hekurudha shqiptare ka qenë vërtet shumë e dhimbshme. Mjafton të them që rreth 450 milionë lekë të reja kanë qënë të ardhura vetëm duke e shitur atë për skrap, në tendera shumë të dyshimtë dhe nuk është bërë absolutisht asnjë investimi i mirëfilltë capital, as për trasenë,  as për mjetet lëvizëse mbi trase dhe u përmend edhe këtu, as për të mbaruar kodin hekurudhor i cili është detyrim i vazhdueshem i BE-së . Kod i cili është i përfunduar tashmë dhe po kalon proçesin e vlerësimit nga konsulenca e huaj, me qëllim që të bej vërtet vlerësimin përfundimtar të përputhshmërisë me standardet evropiane.

Për gjendjen e hekurudhës, besoj është kohë e humbur të flasësh ndonëse  disa shifra janë vërtet për të ardhur keq, siç janë shpejtësia e lëvizjes që në rastin më të mirë shkon 40 km/orë , gjendja e përmirësimit të trases që me gjithë periudhën mund të them edhe e këtyre 20 viteve nuk është vënë dorë për mirëmbatje, ndonëse potencialet e hekurudhës për ekonominë e Shqipërisë për kostot që ofron krahasuar me transportin rrugor janë dukshëm të avantazhuara. Kjo për faktin e ruajtjes dhe mosamortizimit të rrugëve të vendit, hekurudha duhet të ishte marrë më seriozisht dhe kjo nuk është bërë në të kaluarën. Të gjitha këto janë duke u konsideruar dhe zbatuar si nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe si nga Hekurudha Shqiptare  dhe frytet janë të dukshme.

Por vëmendja jonë nuk mund të jetë vetëm brenda rrjetit, brenda 440 km hekurudhë që kemi ekzistuese, sepse kam dëgjuar edhe për disa propozime së fundmi, dikush ka folur për fillimin e menjëhershëm të investimit për rrugën Prishtinë-Tiranë, dikush ka folur për segmentin Shkup-Tiranë, dhe sigurisht janë të lirë për t’i propozuar.  

Por duhet të them se çdo vepër e rëndësishme , çdo vepër strategjike  edhe për hekurudhën Shqiptare do të bëhet mbi bazën e studimit dhe mbi bazën e fisibilitetit. Po aktualisht që flasim kemi kërkuar një studim fisibiliteti për lidhjen e hekurudhës Prishtinë-Tiranë, kemi kërkuar gjithashtu një studim fisibiliteti për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë, të cilat për ne janë vepra shumë të rëndësishme, janë vepra që kërkojnë investime në miliarda dhe duhet të kemi përgjegjësinë si politike, ashtu edhe ekonomike,  që këto vepra t’i shërbejnë ekonomisë, dhe mos të jenë një barrë e rëndë për të.

Ndaj i bëj thirrje çdokujt person të interesuar që bëjnë deklarata publike, t’i referohen shifrave, t’i referohen studimeve dhe të përmbahen në deklarimet e tyre.

Do ta quaja sukses futjen e nje segmenti të rëndësishëm të Hekurudhës Shqiptare në rrjetin kryesor ballkanik, ashtu siç u konkludua nga ana e përfaqësuesve te kësaj mazhorance pranë Komisionit Evropian, që mund të them tashmë lidhja ndërkombëtare Durrës- Hani si pjesë e këtij rrjeti dhe sigurisht do të jetë një prioritet i investimeve të vazhdueshme, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga institucionet financiare  ndërkombëtare.

Dhe së fundmi dua të them se me vitalizimin e hekurudhës jemi në linjë me prioritetet tona,   ndonëse po e përsëris se financimi  nga buxheti i shtetit ka qënë në një trend në ulje.
Konfirmoj përsëri se vetëm në vitin e kaluar krahasur me vitin 2012, kemi patur një rritje rreth 70% të investimeve kapitale në infrastrukturë. Në vitin 2015 kemi rritje me  rreth 30%, sa i takon investimeve kapitale dhe ky trend ju siguroj, se do të vazhojë. Po administrojmë me vemendje të larte dhe kemi interes nga shume investitorë strategjikë, që janë të interesuar  për rrjetin hekurudhor shqiptar. 

Dhe një koment i fundit është, që të paktën këtu nga përfaqësuesit e nderuar që parafolën mund të ishte përmendur dëmi që i është bërë hekurudhës.
Dëmtimi i rrjetit tonë hekururdhor, dëmtimi i stacionit hekurudhor të Tiranës sepse sigurisht ajo që ju shqetëson më pak ndoshta është pikerisht shërbimi ndaj qytetarëve. Ka rënë me më shumë se 50% numri i pasagjerëve që kanë përdorur linjën hekurudhore Tiranë – Durrës vetëm nga heqja e këtij stacioni nga qyteti i Tiranës. Sigurisht e përkthyer në terma ekonomikë janë humbje të mëdha, por mbi të gjitha janë një shërbim i munguar për qytetarët e këtij vendi veçanërisht ato që e kanë të rëndësishme edhe atë 30 lekëshin, sa i takon çmimit të biletës së tyre dhe prandaj bëmë investimin për të rinovuar edhe trenin e linjës Tiranë –Durrës, një investim modest, por që pati një impakt të jashtezakonshëm për të garantuar një cilësi shumë më të lartë shërbimi të atyre shtresae të komunitetit, që përdorin transportin hekurudhor.

Ju falenderoj