Postuar më: 10 Dhjetor 2014

Fjala e Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto Forumi Kombëtar kundër Korrupsionit

Përshëndetje të Gjithëve,

I nderuar Z. Kryeministër,

Për prezantimin e ditës së sotme,  kam parë me shumë kujdes ato që ne kemi premtuar një vit më parë, ato çfarë kemi identifikuar në fillim të mandatit tonë, veçanërisht për t’i ofruar qytetarëve efikasitet më të madh në përdorimin e parave të tyre dhe për t’i garantuar atyre shërbime më cilësore, ndaj mund të them me bindje sot, se jemi në rrugën e duhur për t’i realizuar këto premtime.

Një vit më parë kemi folur për menaxhim më efikas të fondeve publike, dhe në fakt këtë kemi filluar të bëjmë. E kemi filluar qysh me planifikimin e tyre, duke e zhveshur proçesin tonë të planifikimit nga ngarkesat politike. Për ne, qytetarët shqipëtarë janë të gjithë të barabartë, dhe për këtë kemi ngritur një set të rëndësishëm kriteresh, mbi bazën e të cilit bëjmë vlerësimin, shpërndarjen e investimeve tona dhe në këtë set vlerësimesh sigurisht që shërbimi ndaj qytetarit, integrimi i zonave të ndryshme të vendit, me një përqasje efikase të përdorimit të parave, kanë qenë elementë të konsideruar nga ne. Kemi filluar proçesin e miratimit të ndryshimit të reformës së prokurimit në vend, me qëllim që defektet që ka pasur ky ligj, defekte të mëdha do të thoja, në përdorimin e parave publike, të eleminohen dhe çdo para e taksapaguesve shqipëtarë të shkojë atje ku duhet dhe t’i garantojë atyre shërbime me cilësi më të lartë.

Ka ndyshuar koncepti se si e shikojmë infrastrukturën. Infrastruktura për ne nuk është më një realitet vetëm fizik, por është padiskutim një shërbim për qytetarët. Kjo përqasje e re ka bërë që të vendosim cilësinë për këtë shërbim në plan të parë, që në fakt është një në shumë shërbimet,  që ofrohen nga i gjithë sistemi i transportit dhe ai i ujësjellës- kanalizimeve në vend dhe rezultatet kanë konkretizuar cilësi në rritje. Është vendosur qytetari dhe përfitimet direkte të tij në fokusin kryesor, ndaj siguria rrugore ka marrë një vlerë më të madhe, me rezultate të dukshme, për rritjen e sigurisë të rrugëve tona. Kjo është arsyeja pse kemi një një rritje të investimeve në standardin e rrugëve, e bërë evidente edhe gjatë kësaj periudhe. Po kështu efikasiteti i investimeve dhe shërbimeve më të mira, do të thotë që t’i mirëmbajmë veprat e  infrastrukturës dhe ndaj mirëmbajtja është rritur tre herë nga rialokimet tona buxhetore, pikërisht për të siguruar një ruajtje më të madhe për asetet kryesore.

Shërbim më i mirë për qytetarët, do të thotë vendosja e standardeve në shërbime, vendosja e standardeve në treg, vendosja e standardeve në realizimin e veprave publike. Sot jemi në fazën përfundimtare të miratimit pas 24 vitesh, të standardit  për rrugët e Shqipërisë, jemi në fazën përfundimtare të miratimit të standarteve të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, që do të jenë padiskutim garantues se çdo investim në të ardhmen do të bëhet as më pak e as më shumë,  por me një standard evropian, me qëllim që të garantojë shërbim të këtij niveli për qytetarët e vendit. Kur flasim për qytetarët, padiskutim që flasim edhe për tregun, kur flasim për cilësinë e ofruar ndaj tyre dhe për kostot e shërbimeve , përfshijmë këtu edhe tregun, pasi fakt është që tregu i një mori shërbimeve të transportit në vend është hapur, fakt është që tregu i aviacionit civil është hapur me hyrjen e dy operatorëve të rinj, ku sot tarifat e shërbimeve veçanërisht me Italinë  kanë pësuar  rënie  me rreth 20%. Hyrja e operatorëve të rinj në treg, me lehtësitë dhe mbështetjen që ju kemi garantuar, do të bëjë që edhe disa nga linjat premium të cilat operojnë sot në tregun shqipëtar të kenë një tendencë në zbritje në çmimet e tyre.

Po kështu reformat rregullatore kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të jenë prioriteti ynë. Kemi filluar një reformë të thellë në transportin ndërqytetas, për të cilën jemi të bindur që do të përfundojë me sukses, për t’ju ofruar qytetarëve një cilësi të merituar në këtë shërbim.  Po kështu janë dy premtime  të mëdha të cilat kemi realizuar; angazhimi dhe realizimi për premtimtet e një viti më parë, si dhe inovacioni si një një nga drejtimet kryesore të punës sonë dhe garantues për cilësi më të lartë për publikun në të ardhmen.

Për ta mbyllur, më lejoni të shpreh se do të vazhdojmë të jemi të hapur me publikun dhe theksoj veçanërisht të hapur ndaj biznesit, për ta pasur atë partner solid në realizimin e misionit tone. Për këtë i bëjmë thirrje ta vazhdueshme biznesit të angazhohet plotësisht dhe me transparencë të plotë, për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve shqipëtarë.

Ju faleminderit!