Postuar më: 03 Shkurt 2015

Haxhinasto në analizën vjetore të DPUK "Qytetarët të ndërgjegjësohen, çdo faturë uji të paguhet"

Në vijim të konferencave vjetore të veprimtarisë së institucioneve në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Ministri Haxhinasto përmbylli ditën e sotme veprimtarinë vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve.

Kryefjala e Ministrit Haxhinasto për këtë sektor ishte partneriteti me qytetarët dhe ndërgjegjësimi i publikut për vlerësimin e ujit, si element jetik dhe aset kombëtar. “Pjesëmarrja e publikut është pjesë e thelbësore e reformës që po ndërmarrim dhe element kyç për suksesin e saj. Duhet të ndërgjegjësohet çdo qytetar se pagesa e ujit është detyrim” – tha Haxhinasto.

Ai vlerësoi si 3 çështjet dhe sfidat kryesore të këtij sektori humbjet në rrjet, konsumin e energjisë dhe kapacitetet njerëzore, si dhe theksoi si cështje prioritare për trajtim në këtë sektor mundegesën e aksesit të ujit të pijshëm në nivelin e rreth 20% të popullatës dhe mungesën e shërbimit të kanalizimeve të ujrave të përdorura në nivele nën 50% të populates.

Duke u ndalur në çështjen e humbjeve në rrjet, Ministri Haxhinasto e theksoi humbjen në rrjet në të sistemit në tëresi me 67% si një shifër të papranueshme dhe nënvizoi se nivele të tilla humbjesh nuk mund të garantojnë një sistem të qëndrueshëm. Më tej ai vijoi me konsumin e lartë të energjisë, i cili për 2014 ishte në vlerën rreth 1.8 miliardë lekë, kosto prej funksionimit me ngritje manuale në sistemin e  ujësjellësave në vend. Ai u shpreh se kapacitetet njerëzore në nivel operimi dhe menaxhimi vijojnë të jenë një nga problematikat kryesore në këtë sektor.

Në vijim, Ministri Haxhinasto nënvizoi se reforma që po ndërrmerret në këtë sektor, paralel me reformën territoriale do të ndihmojë në ndarjen e qartë të përgjegjësive të gjithë aktorëve dhe hallkave të përfshira, si dhe në vënien para detyrimeve të pushtetit vendor. Ai siguroi se nga ana e strukturave do të ketë ndërhyrje rigoroze dhe koordinim institucional më efikas, për rritjen e faturimeve dhe të arkëtimeve. “Me reformën në këtë sektor do të realizohen dhe projektet e investimeve dhe  do të kemi edhe penalizime në raste të mospërmbushjes së detyrimeve. Kërkojmë që çdo strukturë e angazhuar në këtë sektor të informojë dhe ndërgjegjësojë qytetarin se cilësia dhe shërbimi mund të ofrohet vetëm kur qytetari paguan”: - tha ai. 

Reforma në këtë sektor do të sjellë edhe ndarjen e përgjegjësisë tek operatorët, dhe për këtë Ministri Haxhinasto deklaroi se do të fillojë proçesi i kualifikimit dhe çertifikimit i burimeve njerëzore në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve. “Punonjësit e angazhuar në sistemin e ujësjellës kanalizimeve, niveli operator apo menaxhues, do të trajnohen, do të kualifikohen dhe do të testohen”: - tha ai. Ai vlerësoi si të rëndësishëm reformimin në nivelet e  politikëbërjes dhe  hapat që po ndërrmerren për krijimin e strukturave të reja në DPUK dhe Ministri lidhur me këtë sektor. 

Partneriteti me pushtetin vendor u vlerësua si i rëndësishëm nga Ministri Haxhinasto, por ai sqaroi se me reformën territoriale administrative do të ketë sanksionim të qartë të kompetencave. “Hyrja e konceptit të qëndrueshmërisë dhe performancës ekonomike është emergjencë” – tha ai.

Ministri Haxhinasto u ndal në rëndësinë që ka aplikimi i teknologjisë inovative në këtë sektor për të shmangur çdo humbje dhe çdo abuzivitet. “Do ketë matje në burim, matje në sasinë e ujit që hidhet në sistem, matje në hyrje dhe në dalje tek qytetari me qëllim që sistemi të jetë korrekt, të jetë i ndershëm dhe asnjë qytetar apo biznes të mos të ketë detyrime më shumë, sesa duhet të ketë” – tha Haxhinasto. 

Ai theksoi se çdo planifikim i investimeve duhet te ketë referencë Masterplanin Kombëtar të Sistemit dhe kërkoi shmangien e çdo subjektivizmi në investime, për të mos u përballur me rënie të efikasitetit. “Një vepër në këtë sektor, nuk quhet e përfunduar nëse përfundon investimi  në aspektin fizik të veprës dhe nuk arrijmë t’i ofrojmë shërbimin final qytetarit, ujin në rubinet. Cilësia dhe siguria e ujit janë dy elementë shumë të rëndësishëm të shërbimit që ofrojmë”- u shpreh ai.