Postuar më: 14 Maj 2015

Haxhinasto: Opozita të jetë realiste, infrastruktura aset kombëtar, jo përkatësi partiake

REPLIKA E MINISTRIT HAXHINASTO GJATË SEANCËS PLENARE
Projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve të grantit qeveria shqiptare me   BERZh për Bypass-et  e Fierit dhe Vlorës

Ndihem i keqardhur, që për infrastrukturën rrugore e cila është një aset kombëtar, shpesh herë flitet politikisht. Flitet në 95% të kohës për politikën e ditës, për qëllime mirfilli partiake dhe hidhen edhe rromuze, sa për të thënë se po bëhet lidhja me çështjen e ditës dhe shpesh herë kjo ndodh, fatkeqësisht në mënyrë krejt të painformuar   dhe të paditur, madje do të thoja edhe jo serioze. 
Është mirë që kur diskutohet, dhe për këtë jam ofruar edhe si Ministër edhe me stafin e Ministrisë, t’ju ofroj gjithë informacionin e nevojshëm për projektet e rëndësishme që ka vendi. Duhet t’i dimë padiskutim sepse investimet janë të të gjithë shqiptarëve, bëhen me taksat e tyre, nuk bëhen me taksat e partive. Partitë nuk kanë fonde , nuk kanë buxhete, kështu që është mirë që të dimë se çfarë ka bërë qeveria e kaluar dhe çfarë po bën kjo qeveri dhe në të ardhshmen pa diskutim. 
Kështu që e përsëris këtë thirrje për të gjithë të nderuarit deputetë, kur flitet dhe kur thuhet që kjo qeveri nuk po bën asgjë, nuk investon asnjë cent për rrugët, mund të them që janë rreth 16 miliardë lekë të reja që investohen këtë vit. Pse gënjehet që nuk ka asnjë cent për rrugët ? Pse nuk flitet këtu, për borxhet që u lanë nga qeveria e mëparshme, me mbi 120 milionë euro, të cilat janë shlyer sot që flasim. Pse nuk flitet për gjendjen  e projekteve, se si janë lënë ato? Projekte katastrofale edhe në zonat më të shkëlqyera që ka vendi, siç është rruga Lin-Pogradec, pse nuk flitet për atë projekt , që më duhet ta cilësoj si katastrofë ekologjike. Kush e bëri? Kjo qeveri? Kjo qeveri po e riparon, duhet të keni pak durim dhe do të shikoni se si po ndryshohet projekti. Apo projektet e tjera që janë pa studime gjeologjike? Ja këtu 11 km e keni në rrugën Tirane-Elbasan, një shkarje masive që na duhet 6 muaj ta rregullojmë, projekt pa studim gjeologjik, pse nuk flitet per të? Pse nuk flitet për problemin e shpronësimeve; i jashtëzakonshëm ka ngadalësuar gjithë investimet e huaja, pse nuk flitet për  këtë ? 
Janë bërë çmenduri; një kanal uji e kanë ndarë nga socialistët dhe në demokratët në krahun tjetër , e kanë ndarë një herë i paguhet këtij,  4 herë i paguhet atij tjetrit , pse nuk flitet për këtë?
Pse nuk flitet për faktin që nuk regjistrohen, ato që shpronësohen? A e dini se merren kredi me ato prona që janë shpronësuar nga qeveria , akoma merren kredi, sepse nuk janë regjistruar . 
Pse nuk flitet për sigurinë rrugore kur flisni për infrastrukturën , pse nuk thoni që u la një bilanc me 1 të vdekur në ditë? Edhe në vitin e parë në 2014 e ulëm me 26% aksidentet me pasojë vdekjen dhe plagosje të rëndë, në rrugët e vendit, rezultati i investimeve që u bënë, pse nuk flitet për to? 
Pse nuk flitet për mungesën e planifikimit të veprave të rëndësishme të infrastrukturës.? Pse nuk flitet për rrugën e Arbërit si një shembull ekselent i tmerrshem i mungeses së planifikimit që investohet për 2/3 e saj dhe 1/3 e saj dhe absolutisht as nuk projektohet e as nuk planifikohet për tu investuar , pse nuk flitet për këtë? Pse nuk flitet për pjesën tjetër që duhet të ishte bërë planifikimi i lidhjes me Maqedoninë, prandaj duhet të jeni shumë të kujdesshëm të nderuar deputetë kur flasim për këtë gje. 
Pse nuk flitet për mirëmbajtjen që ka qenë vetëm 10% e vlerës së nevojshme ? Dhe amorizohen rrugët tona dhe  duhet të paguajmë rreth 80 milionë dollarë vetëm për t’i sjellë në gjendje e standard, aq shumë kanë degraduar..
Pse nuk flisni për projektet që po bëhen, pse nuk flisni për ato segmente që po përfundojmë? Të cilat kanë nga 5-6 vite që kanë filluar dhe po i përfundojmë tani. Flisni për Plepa-Rrogozhinë, për ByPass-in e Rrogozhinës, që u zhbllokua pas shumë e shumë vitesh. Pikërisht për këtë Bypassi i Fierit ishte bllokuar nga çështja e shpronësimeve , për Bypassin e Vlorës që gjithashtu ishte i bllokuar për të tjera çështje. Pse nuk flisni për rrugën Lushnjë-Berat e cila ka vite të tëra dhe ishte e bllokuar, pse nuk flisni për këto?
Ju lutem duhet të jeni realistë dhe pastaj pse flisni vetëm për infrastrukturën fizike? Pse nuk flisni një herë të vetme për shërbimet e transportit ndërqytetas? A e dini se si e keni inventarin e autobuzëve ku hypin shqiptarët çdo ditë? A e dini që 95% e autobuzëve janë jashtë çdo lloj standardi? Pse nuk flitet për këto? Kemi bërë reformën dhe do t’ju njohim me të shumë shpejtë, do t’i ndryshojmë  linjat, do të kursejmë 50% të shpenzimeve, sepse janë lekët e shqiptarëve. Flisni edhe për këto, se nuk është vetëm rrugë, infrastruktura dhe investimi. 
Tani për të sqaruar diçka se u tha këtu aq shumë, se u tha që thuhet nga qeveria gjatë fushatës që po bëhet, “po fitoi PD në këtë bashki nuk do të ketë investime!”. Kush e ka thënë këtë? Kur është thënë? Ajo që është thënë është kjo: Nuk ka sot një model nga PD, që të jetë modeli i investimeve në pushtetin vendor. Kjo është thënë, jo tjetër gjë dhe mund ta konfirmoj edhe vetë unë; edhe për arsyen që kam qenë edhe Ministër i qeverisë së kaluar. E kam derën e hapur, për të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor pa asnjë dallim, por nuk më vjen askush nga PD-ja për të më kërkuar investime apo për t’u mbështetur tek ne dhe ndoshta nuk duan. Dhe gjithsesi kjo qeveri mendon për të gjithë, sepse shpërndarja e investimeve nuk bëhet mbi bazë politike, mbi bazën e ngjyrës politike që ka njëra njësi vendore apo një tjetër, por bëhet mbi masterplanet që kemi. Kemi një detyrim për të bërë investime për transportin e qëndrueshëm, për transportin organik dhe kjo është ajo që na orienton, kjo është ajo që na bën të planifikojmë investimet tona dhe nuk është ngjyra e drejtuesve të pushtetit vendor. Po njësoj edhe për ujësjellës-kanalizimet, nuk ka lidhje fare kush është drejtuesi.
Shqiptarët janë njësoj, nuk rëndësi ngjyra e drejtuesve të bashkisë, prandaj të nderuar debutetë, ju bëj edhe një herë thirrje, duke qënë se infrastruktura është aset kombëtar dhe jo i partive, të paktën të jeni realistë kur diskutoni.