Postuar më: 16 Prill 2015

Haxhinasto: Proçesi për rrugën e Arbrit plotësisht transparent. Veprat e rëndësisë kombëtare, të mos politizohen.

Fjala e plotë e Ministrit Haxhinasto në seancën parlamentare për miratimin e proçedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës konçesionare, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së Arbrit, ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Kompanisë Kineze “China State Construction Company”.

Të nderuar Deputetë, 
Po diskutojmë këtu sot miratimin e proçedurës së veçantë të Rrugës e Arbërit, vepër e cila ka filluar në vitin 2007 dhe sot jemi në realizimin 50% të kësaj rruge, ndaj mbetet një angazhim i yni për ta realizuar këtë segment të rëndësishëm të rrjetit tonë rrugor. Unë dëshiroj t’i rikthehem dhe një herë thirrjes që kam bërë që në fillim të këtij mandati, që veprat e rëndësishme të infrastrukturës kombëtare në asnjë mënyrë mos të politizohen dhe mos të shihen nga këndvështrime politike, por si vepra që i përkasin gjithë shqiptarëve, pra me një përqasje zhvillimore dhe kombëtare , e përsëris jo përqasje politike.
Dëshiroj të bëj disa komente përsa u tha nga deputetët e nderuar të opozitës. 
Së pari, sa i përket çështjes së transparencës. Absolutisht do të jetë një proçes plotësisht transparent, prandaj po sjellim këtë ligj në Parlament dhe po kështu do jetë dhe proçesi i disktutimit të termave final të kontratës, të cilat do të sillen në parlament për tu miratuar. Por mund të them se transparenca në Shqipëri edhe duhet të konfirmohet dhe fakti është që e kemi nisur me transparencë të madhe, pasi planifikimi nga propozimi që na ka ardhur është si vlerë për kilometër shumë më e ulët se ajo që është aplikuar deri më sot, besoj nuk është e dhënë e pakët, transparenca nuk është një koncept abstrakt por përkthehet në kosto të veprës. E përsëris, se kosto është më e ulët se ajo që është realizuar deri më sot për këtë vepër konkrete.
Sa i përket garancisë sovrane, duhet të themi se heqja e kërkesës së  garancisë sovrane për këtë vepër ka qenë frut i  një proçesi negocimi intensiv në nivelin më të lartë të Qeverisë Kineze. Është kërkuar në takime bilaterale me Kryeministrin Kinez, si dhe në takime bilaterale me Drejtorin e Exim Bank , dhe ka qenë rasti i parë që ne nuk japim garanci sovrane. 
Dhe dëshiroj të  korrigjoj se ndryshe nga çfarë u shpreh këtu, se në këtë projekt nuk kemi dhënë garanci për trafikun , ndoshta mund të konfondohet me tjetër projekt, ndoshta me Rrugën e Kombit. Në rastin konkret e kemi parashikuar në buxhet paketën, të garantosh trafikun do të thotë ta taksosh, cfarë ne nuk e kemi bërë dhe parashikuar. Taksimi i kësaj rruge potencialisht do të vijë vetëm si rezultat i konkluzioneve të Strategjisë së Taksimit të Rrugëve kur të përfundojë studimi. Pra nuk është e vertetë që ne kemi parashikuar një taksë për këtë rrugë, për ta ndërtuar këtë rrugë me taksat e qytetarëve.
Sa i përket çështjes së standardit, nëse ka dikush vërejtje për gjerësinë apo tiparet tekno-fizike të  rrugës ky është projekti jemi të detyruar të vazhdojmë me këtë projekt.  Ka filluar që në vitin 2007 është financuar në 9 vite vetëm 50% , dhe shumë mirë që është bërë, por do detyrohemi të ecim me këtë projekt, pasi e theksoj është realizuar rreth 50% e veprës. Sigurisht jemi të detyruar t’i bëjmë ndryshime për përmirësime teknike projektit të kësaj vepre, pasi përballemi me një fakt të përgjithshëm cilësia e projekteve lë shumë për të dëshiruar. Cilësia e projekteve na ka sjellë situata për rritje të madhe të kostove, jo vetëm për mirëmbajtjen por edhe të përfundimit të veprës, pasi gjithë veprat kanë problematika të jashtëzakonshme, veçanërisht me studimet gjeologjike ku ndodhin rrëshqitje masive, bllokohen punimet shtohen kostot dhe kjo vjen si rezultat i difekteve të mëdha në konceptimin e veprave dhe në projektimin e  tyre. 
Për sa i takon kësaj vepre, është vërtetë që mund të quhet një vepër e rëndësishme e rrjetit tonë  rrugor do të kishim dashur gjithashtu që kjo vepër të ishte koordinuar me fqinjët tanë maqedonas, me qëllim që dhe në anën tjetër të kufirit të kishte pasur vendosjen në axhendën tyre , kjo vepër t’i shërbente atij objektivi për të lidhur dy prej qyteteve për të shkurtuar ndjeshëm kohën. Kjo gjë nuk është bërë, e kemi kërkuar në  mënyrë të vazhdueshme , vazhdojmë ta kërkojmë, por akoma nuk kemi një angazhim të mirëfilltë nga pala maqedonase, që të paktën një standard i tillë rruge të  ndërtohet edhe në anën tjetër të kufirit kështu që të realizojmë objektivin kryesor të veprës për të shkurtuar kohën e lidhjes midis Tiranës dhe Shkupit.
Gjithashtu dëshiroj ta mbyll duke kërkuar të mos thoni se po vonohemi në këtë vepër, nuk është normale t’i thuhet kësaj qeverie kjo. Vepra është filluar në vitin 2007 e theksoj për herë të tretë që është filluar në 2007-ën, por planifikimi buxhetor i kësaj vepre është  sot që flasim pas  9 vitesh me realizim vetëm 50%, kështu që është shumë më e ndershme të themi që na intereson të gjithëve. Duhet t’i planifikojmë veprat ndryshe në të ardhmen me qëllim që edhe ato miliona para që janë hedhur në veprat e infrastrukturës të mos amortizohen pa filluar të kthehet investimi apo benefitet e investimit, në sensin e impaktit të rrugëve. Një rrugë e parealizuar nuk e jep impaktin e saj as ekonomik dhe as shoqëror tërësisht. Një trase, siç është ajo në veprën aktuale dhe e pa përfunduar, nuk jep impakte pozitive , edhe pse sigurisht jep impakte në punësim apo të pjesshme ekonomike, por vepra ka si synim kryesor të realizojë impakt të në shumë drejtime dhe nuk e jep për sa kohë ajo është e papërfunduar. 
Po e përfundoj duke e përsëritur edhe një herë se është e domosdoshme dhe i ftoj edhe kolegët e tjerë, që kur flasim për vepra kryesisht kombëtare të adaptojmë një qëndrim kombëtar dhe aspak partiak. 
Ju faleminderit.