Postuar më: 21 Nëntor 2014

Ministri Haxhinasto “Buxheti 2015, rritja e cilësisë së investimeve në transport dhe infrastrukturë, për të sjellë kthesë dhe konsolidim të rritjes ekonomike në vend”

Ministri Haxhinasto prezantoi sot para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave buxhetin për vitin 2015 në sektorin e transportit dhe infrastrukturës, duke i njohur ata me alokimin e buxhetit në sektorët kryesorë, si dhe me prioritetet dhe objektivat e tij. Për këtë sektor buxheti i vitit 2015 është rreth 40.39 miliardë Lekë, duke sjellë një rritje prej 2.76 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014, ku rritjet evidente janë veçanërisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe në atë të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.

Ministri Haxhinasto përpara prezantimit në detaje mbi investimet e parashikuara në zërat e sektorëve kryesorë për transportin dhe infrastrukturën, vuri theksin në synimin për avancim drejt një strukture buxhetore të identifikuar për hartimin e buxhetit, e ngritur bazuar në disa kritere. Ai theksoi se rritja e cilësisë së shpenzimeve në mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurisë rrugore, në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve apo mbetjeve të ngurta urbane, do të sillte një ndikim të drejtëpërdrejtë në shpenzimet fundore të çdo sektori në qeveri dhe një  impakt të drejtëpërdrejtë në jetën ekonomike të vendit dhe atë të qytetarëve.  Ministri Haxhinasto nënvizoi si një kriter tjetër të rëndësishëm i konsideruar në hartimin e këtij buxheti, harmonizimin dhe proporcionimin e shpenzimeve publike me pjesën tjetër të shpenzimeve të buxhetit, për garantimin e uljes progresive të nivelit të borxhit, rritjen e efikasitetit të investimeve, rritjen e kthyeshmërisë së investimit në prioritetet e transportit dhe infrastrukturës. “Është themelore që në zërat e buxhetit që po rialokojmë për këto sektorë jetikë, të marrim maksimumin e mundshëm për ekonominë kombëtare nga këto fonde”: - tha Ministri Haxhinasto.

Në vijim të prezantimit të tij ai theksoi se, përzgjedhja e projekteve prioritare është realizuar bazuar në rëndësinë që kanë veprat për infrastrukturën rrugore apo ujësjellës-kanalizime, si dhe bazuar në prioritarizimin e impaktit ekonomiko-social që jep vepra në zonat me potenciale më të mëdha ekonomike, veçanërisht për ato turistike në bregdet dhe zonat malore. Mbi konsolidimin e përqasjes së re të investimeve, duke mos i konsideruar veprat si të veçanta, ai u shpreh: - “Përfundimi i veprave dhe marrja e shërbimit, që pritet të merret nga to, kanë qenë një ndër kriteret më kryesore në alokimin e buxhetit”.  

Një tjetër potencial i konsideruar për buxhetin do të jetë realizimi i të ardhurave, përmes konçesioneve në disa shërbimeve, ku Ministri Haxhinasto u ndal në konçesionimin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, projekt që pritet të tenderohet brenda këtij viti dhe gjatë 2015-ës të sjellë efekte në buxhet. 

Alokimi në zërat e mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore, si 2 nga objektivat kryesorë për vitin pasardhës u paraqit nga Ministri, jo vetëm si çështje e lidhur me cilësinë e shërbimit që garantojnë rrugët në sistemin e transportit, por edhe si kriter i mirëfilltë ekonomik, duke sjellë zvogëlimin e amortizimit të lartë të rrugëve. Planifikimi për këto 2 zëra do të ketë një rritje rreth 200% ose rreth 4 miliardë Lekë krahasuar me 2014. 

Në vijim të adresimit të prioriteteve Ministri Haxhinasto theksoi rritjen e investimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, me rreth 14.8% krahasuar me buxhetin e kaluar, për mundësimin e projektit të madh të Durrësit; përfundimit përmirësimit të ujërave të zeza, duke sjellë përfundimin e rrjeteve përkatëse dhe impaktin direkt në rreth 400 mijë banorë. Ndër projektet ku Ministria është pjesë e financimeve të përbashkëta me institucionet, bankat apo institucionet financiare ndërkombëtare. 

Për  sektorin e transportit hekurudhor, i cilësuar si sektor me të ardhme nga Ministri Haxhinasto, mbështetja buxhetore do të jetë rreth 460 milionë lekë për shpenzime korrente dhe 325 milionë Lekë për shpenzime kapitale.  Ai paraqiti një trend në rritje të volumit të transporteve me rreth 30% gjatë 2014-ës, duke prezantuar si prioritete të këtij sektori realizimin e studimit për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës dhe realizimin e një studimi ekonomik për rrjetin kombëtar hekurudhor.  

Për sektorin e transportit detar janë parashikuar rreth 1.2 miliard lekë, projektet kryesore do të jenë vendosja e sistemit të monitorimi për informacion për të gjithë manaxhimin që realizon Drejtoria e Përgjithshme Detare; konkludimi i projektit të zgjerimit të  terminalit të pasagjerëve në Portin e Sarandës, si dhe Faza II e thellimit në Portin e Shëngjinit.

Për transportin ajror Ministri Haxhinasto shprehu se me burime të brendëshme, nëpërmjet agjensive që operojnë në sektor, do të realizohet një studim fizibiliteti për Aeroportin e Jugut.
Ai vijoi me paraqitjen e rëndësisë, që kanë mbetjet urbane, si sektor i rëndësishëm që kërkon reformë të thellë dhe mund të krijojë një realitet të ri nga thithja e investimeve, duke theksuar se organizimi i ri institucional i këtij sektori do të tërhiqte investitorë potencialë. 

Haxhinasto u shpreh: - “Kërkesat janë shumë më të mëdha,  por  kjo ndarje e buxhetit është në harmoni të plotë me politikën e përgjithshme të qeverisë, për të kontrolluar borxhin për efikasitetin e investimeve dhe efekshmërinë e kthimit të tyre,  duke krijuar hapësirë për të konsoliduar prioritetet që ne kemi në sektorin e transportit dhe infrastrukturës në drejtim të rritjes së sigurisë dhe rritjes së cilësisë së shërbimit të qytetarëve”

Më tej seanca dëgjimore vijoi me pyetje nga deputetët e këtij komisioni dhe me komente nga rrelatori për buxhetin dhe paketës fiskale deputeti Anastas Angjeli, si dhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë deputeti Erjon Braçe.