Postuar më: 04 Shtator 2015

Intervista e Ministrit Haxhinasto për gazetaren Ilva Tare

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ishte i ftuari i parë i sezonit të ri të emisionit “Tonight Ilva Tare”. Çfarë do të bëhët me aeroportin e Rinasit, tarifimi i Rrugës së Kombit, kompletimi me sinjalistikë i disa segmenteve kryesore. Reforma e ujit.

1-Rruga e Kombit 

Është realizuar faza e parë e tenderit. Janë katër kompani në garë dhe me 15 tetor do të kemi fituesin e menaxhimit dhe të ndërtimit të përfundimit të Rrugës së Kombit. Llogaritja është bërë 5 euro për të kaluar rrugën, përfshirë edhe TVSH, që është më e ulët sesa mesatarja rajonale për tarifa të ngjashme. Elementi dallues në këtë garë do jetë kompania që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit, pra që angazhimi i shtetit të jetë më i vogli. Katër kompanitë që marrin pjesë janë të huaja por që janë të lidhura edhe me nënkontraktorë shqiptarë. Kompania fituese parashikohet të investojë 38-43 milion dollarë për përfundimin e plotë të rrugës.

Nëpërmjet investimit do të bëhet ura e re e Kukësit, të rregullohet një pjesë e rëndësishme skarpatesh gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu tuneli në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës.

 2- Sinjalistika

Ka mbaruar një pjesë e rëndësishme e pajisjes me sinjalistikë të aksit rrugor, Rrogozhinë-Butrint. Do kemi rrugë me standarte dhe sinjalistikë modern nga Vora drejt Hanit të Hotit si edhe do të kompletojmë me sinjalistikë rrugën Rrogozhinë-Kapshticë, me standarte të larta europiane. Rruga Lin Pogradec është transformuar projekti, në një rrugë mjaft piktoreske, ku do të ketë ndricim me standard të lartë, ndër më të mirët në Shqipëri.  Në të njëjtën linjë, ka përfunduar segmenti Tiranë-Kashar-Rinas dhe do të përfundojmë edhe aksin Rinas Durrës. Mungesa e ndricimit lidhet ngushtësisht me cilësinë e ndërtimit të rrugëve më parë, ku shtyllat nuk janë lidhur me energjinë elektrike. Kemi në plan të vendosim edhe sinjalistikën me tabela kulturore në rrugën Egnantia. Pajisja me sinjalistikë ka sjellë efekte positive, në muajin gusht kemi 20 aksidente më pak me pasojë vdekjen se e njëjta periudhë e 2014

3- Rruga e Arbrit

Jemi në një komunikim të vazhdueshëm me kompaninë kineze që ka marr zyrtarisht kontributin tonë në informacion dhe studime. Kompania Kineze është duke përgatitur ofertën përfundimtare që do të negociohet brenda 60 ditëve siç e kërkon ligji. Ne jemi në pritje. Brenda shtatorit ajo duhet të vijë dhe pastaj janë edhe 60 ditë të tjera negociimi.

4- Aeroporti i Rinasit dhe çmimet e biletave të avionëve

Ka pasur një qasje konstruktive, në kohën e duhur, seriozitetin maksimal nga ana e Ministrisë dhe institucioneve të tjera me qëllimin që ne ta zgjidhim problemin që ka krijuar kontrata koncesionare dhe të kemi mundësi të hapim tregun e shërbimeve aeroportuale në Shqipëri. Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të negociimeve. Presim një përgjigje, me datën 9 shtator kur edhe mblidhet bordi i aksionerëve të aeroportit të Rinasit. Besojmë për një përgjigje pozitive për çfarë i kemi kërkuar ne.

Fakti që negociatat po ecin kaq shumë tregon se ato nuk janë aspak të lehta sepse duhet të gjesh rrugën e duhur për të zgjidhur një çështje të qartë ligjore të sanksionuar në kontratë, që është ekskluziviteti. Kemi zgjedhur rrugën e përqasjes ekonomike, që ekskluziviteti të hiqet duke garantuar modelin ekonomik të aeroportit, të ardhurat e parashikuara të aeroportit me qëllim që të mos komprometojmë pritshmëritë e aksionerëve të aeroportit. Zgjidhjen për impaktet, apo efektet që do jepre për aeroportin e Rinasit hapja e aeroportove të reja të reflektoheshin në zgjatjen e periudhës konçensionare. Nuk është një ushtrim i lehtë.

5- Kompanitë me kosto të ulët (low cost)

Kemi takuar disa kompani low cost që kanë shprehur interes për tregun shqiptar, një segment në rritje në Europë, por që akoma nuk është prezent në tregun tonë dhe kjo është një nga arsyet për çmimin e lartë të biletave. Kompanitë kanë ardhur, janë të interesuara por e kanë të vështirë të operojnë me tarifat që ka aeroporti i Rinasit. Kanë parë me vëmendje atë të Kukësit, por bëjnë studimet dhe analizat e tyre.

Është rënë parimisht dakord që me gjetjen e një zgjidhje të pranueshme ekskluziviteti të hiqet. Por sigurisht kompania ka disa aksionerë dhe një pjesë e tyre kanë bërë dhe llogaritë e fitimeve mbi bazën e gjendjes aktuale dhe nuk duan të marrin rrisqe që sipas tyre mund të ndryshonin nivelin e tyre ekonomik. Ne i kemi dhënë këto garanci.

Nëse nuk arrihet marrëveshja, ka rrugë të tjera të cilat do të diskutohen. Kemi zgjedhur mënyrën miqësore, racionale dhe përqasjen ekonomike për negociatat.  Mënyrat e tjera mund të jenë mënyra ligjore, opsion është edhe prishja e marrëveshjes por që nuk do të donim pasi aeroporti i Rinasit ka sjellë një pjesë të Europës në Shqipëri, është i një standardi shumë të lartë.

6-Kur do të ulen çmimet e biletave të avionëve?

Çështja e çmimeve funksionon në bazë të kërkesës dhe ofertës, këto ligje të ekonomisë së tregut ne duhet ti respektojmë. Sigurisht që ka mekanizma që ne ndikojmë. Ndikimi më i madh që ka bërë qeveria ka qenë heqja e monopoleve në aviacionin civil. Hapja e tregut pas falimentimit të kësaj kompanie solli në 60% të tregut që janë udhëtimet me Italinë reduktim të biletave për 2014 rreth 80% në sezonin e ulët dhe në sezonin e lartë 24%. Në 2015 në sezonin e ulët ka pasur një ulje 29% dhe në sezonin e lartë 40% 

7-Aksioni ujit, s’do ketë rritje cmimi.

Shqipëria prodhon 270 milion metër kub ujë në vit, ndërsa nevoja e popullatës është 217 milion. Pra prodhojmë 50 ml më shumë metër kub më shumë. Nga kjo sasi uji, vetëm 88 milion metër kub ujë paguhet. 67% ose humbet, ose nuk paguhet ose keqpërdoret. Zgjidhja është të heqim informalitetin, cmimi I ujit nuk do të rritet, do të presim lidhjen e paligjshme dhe kontratat duhet të paguhen nga cdo indivi. Rikonceptim të përgjegjësisë menaxhuese dhe përgjegjësi të lartë nga bashkitë.
 
Për më shumë shikoni intervistën e plotë në linkun e më poshtëm:

http://tonight.oranews.tv/tonight-ilva-tare-reforma-ne-infrastrukture/