Postuar më: 05 Maj 2015

Intervista e Ministrit të Transportit dhe Infrasktrukturës Edmond Haxhinasto në “Ora e Intervistës” nga Ilva Tare në OraNews

IlvaTare: Mirëmbrëma Z. Ministër. Faleminderit që erdhët në studion time . Kemi lajm në lidhje me negociatat me TIA?

Ministri Haxhinasto: Besoj që është përmendur aq shumë në media edhe nga ana ime sa nuk di sa mund të përbëj  lajm. Ne jemi në proçes negocimi, siç e kam thënë disa herë, por jemi të kujdesshëm të ruajmë seriozitetin e negociatave dhe besoj se jemi në rrugën e mbarë për të arritur në një marrëveshje për të kënaqur të dyja palët. Sigurisht që media dhe publiku mund të ketë interes të lartë, por unë dua të tregohem i kujdesshëm dhe diskret për mos të dhënë afate pa u mbyllur kjo marrëveshje.

IlvaTare: Pra jeni afër një marrëveshje apo nuk ka marrëveshje ende?

Ministri Haxhinasto: Kemi bërë progres të ndjeshëm për arritjen e një qëndrimi të përbashkët, por sigurisht ka nevojë të diskutohen më tej, pasi bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme, si është për shembull shtyrja e afatit të kontratës konçesionare, që do të thotë që ka dhe ajo faturat e saj, ndaj duhet t’i japim proçesit seriozitetin maksimal

IlvaTare: Në fakt ky televizion, emisioni “Të Paekspozuarit” është marrë me historinë e kontratës konçesionare dhe për pasojë dhe me analizën e çmimit të biletës. A do ketë ndikim kjo marrëveshje në uljen e cmimit të biletave?

Ministri Haxhinasto: Padiskutim që po,  sepse çështja kryesore e këtyre negociatave ka të bëjë me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare, që do të thotë në rastin e një marrëveshje dhe Aeroporti Kukësit mund të hyjë në funksion dhe kështu do të hapet dhe mundësia për të ndërtuar edhe 2 aeroporte në jug të vendit, pra do kemi liberalizim të tregut dhe hyrjen e operatorëve që ne aktualisht  nuk i kemi, ato të kompanive low-cost.

IlvaTare:  Që do të thotë kompanitë low-cost do të pranojnë të hyjnë dhe në kushte ekskluziviteti?

Ministri Haxhinasto: Në fakt këto kompani kanë ardhur për bisedime dhe kanë kërkuar tarifa të reduktuara dhe nga Aeroporti Nënë Tereza, gjë që po shqyrtohet prej tyre. Por unë do të thoja, se tregu i aviacionit civil në Shqipëri është  hapur dhe sot ka shumë kompani e intinerare të reja, që kanë ndikuar në një ulje të ndjeshme të tarifave të biletave dhe kështu me një llogaritje të kalkuluar së fundmi nga një mesatare prej 438 euro/biletë në vitin e 2012 sot jemi ne nivelet e 230 euro/biletë , pra kemi një reduktim te ndjeshëm të çmimit të biletës.

IlvaTare:   Kur do të ndodhë përfundimi i negociatave? A ka një afat?

Ministri Haxhinasto: Është shumë e vështirë të përcaktosh  afate, sigurisht ne kemi deadline tona për përfundimin e negociatës,  por deri në marrëveshjen përfundimtare unë do doja të tregohesha diskret.

IlvaTare: A do të ndodhë para fillimit të këtij sezoni veror?

Ministri Haxhinasto: Unë do të thoja pavarësisht nga sezoni i verës kjo nuk ka lidhje direkte me operatorët që do të përdorin aeroportin, pasi dhe vendosja në funksionalitet Aeroporti i Kukësit do të dojë kohë për ta bërë të gatshëm për fluturime.

IlvaTare:  Në rast se marrëveshja përfundon keni vendosur ku do të ndërtohen 2 aeroportet e jugut?

Ministri Haxhinasto: Kemi diskutuar për një kohë të gjatë për një aeroport në jug në Sarandë, dhe së fundmi në proçesin e negociatave kemi diskutuar dhe për një aeroport në Vlorë. Do të duhet të rillogariten efektet dhe impaktet për TIA për këtë të fundit, ndaj duhet të respektojmë kohën e nevojshme që i duhet kompanisë TIA për këtë gjë.

IlvaTare:  Po dhe për të ndërtuar aeroportet, pasi ata nuk janë gati?

Ministri Haxhinasto: Padiskutim, periudha e ndërtimit të tyre merret në konsideratë në këtë negociatë.

IlvaTare:  A ka një plan masash Ministria juaj para sezonit veror në infrastrukturë e sinjalistikë?

Ministri Haxhinasto: Kjo tashmë është një praktikë e konsoliduar para sezonit veror. Ne përgatisim një plan masash, me qëllim që për sezoni turistik të ofrojmë një shërbim sa më cilësor e kjo fillon nga hyrja në Shqipëri përmes aeroportit dhe porteve e më pas në përdorimin e rrugës. Përgatitje serioze po bëjmë në portet e vendit, për të qenë gati për të pritur si turistët dhe pasagjerët, si dhe paralelisht për ushtrimin e kontrollit për regjim tjetër, për të kontrolluar qarkullimin e mjeteve të rënda të transportit për mos të bllokuar rrugët turistike. Siç e dini, sinjalistika dhe siguria  janë një nga objektivat parësor të Ministrisë sonë për të garantuar një shërbim sa më të sigurt për qytetarët.

IlvaTare:   Kjo e nxitur dhe nga fakti që lë për të dëshiruar  në disa akse kryesore?

Ministri Haxhinasto: Padyshim kjo e nxitur nga shifrat e larta që ka pasur Shqipëria në rastet e aksidenteve me pasojë vdekje apo aksidente të rënda , në vitet e mëparshme. Më duhet të theksoj se ka pasë periudha dhe që ka arritur edhe 1 vdekje në ditë, pra mbi 360 vdekje/ vit, e cila është reduktuar ndjeshëm gjatë 2014-ës, pas ndërhyrjeve seriozeve që kemi realizuar me Planin Kombëtar që miratuam në Janar 2014, me uljen 26% të numrit  të aksidenteve me pasoje vdekjen dhe aksidente të rënda, si rezultat i këtyre masave. Ndërhyrja dhe investimi në sinjalistikë ka ndihmuar duke sjellë këtu investimin në aksin Rrogozhinë-Butrint të realizuar në 2014 si një nga investimet më efikase do të thoja apo 2 segmente te reja të rëndësishme, ku do të ndërhyjmë këtë vit Rrogozhinë – Kapshtice dhe FushëKrujë – Hani Hotit, që janë në proçes tenderimi.

IlvaTare:   Z. Ministër cfarë po bëhet me sinjalistikën e Rrugës së Kombit? Kur do të kemi një dallim të dukshëm? Po investimet dhe cfare kosto duan per tu konsideruar e mbaruarr Rruga e Kombit?

Ministri Haxhinasto: Ky dallim i dukshëm do të jetë sigurisht dhe për një farë kohe sepse investimet për të përfunduar kjo rrugë e rëndësishme i kemi llogaritur rreth 100 milion euro investim  për të arritur në një standard do të thoja më të pranueshëm të kësaj rruge. Kjo rrugë padiskutim është shumë e rëndësishme, por vazhdimisht kërkon investime. Investimet ne kemi menduar t’i organizojmë nëpërmjet konçesionit. Jemi në fazë e listës së shkurtër të kompanive, që janë të interesuar për të hyrë në një marrëdhënie konçesioni me ne dhe së shpejti do të realizojmë fazën e dytë të këtij tenderi , të këtij konçesioni  që do të jetë oferta ekonomike.

IlvaTare:  Ka disa zëra së shpejti që kam dëgjuar, jemi afër dhënies së tij , kur ka një afat që do të jepët me konçesion?

Ministri Haxhinasto: Këto janë afate ligjore që i ka ligji për konçesionet. Në këtë moment kemi mbaruar fazën e parë , kompanitë e interesuara kanë paraqitur përshkrimin teknik të kapaciteteve të tyre dhe të kompanive të tyre 

IlvaTare:  Dhe në short list sa kompani janë aktualisht?

Aktualisht janë 4 kompani.

IlvaTare:  Janë shqiptare apo të huaja?

Ministri Haxhinasto: Janë kompani të huaja dhe pas kalimit të fazave, sipas ligjit të konçesioneve unë besoj e jam optimist se në Shtator do të kemi edhe fituesin e këtij konçesioni. Sigurisht që ky fitues do të jetë menjëherë i gatshëm për të realizuar investime, për të sjellë këtë rrugë në një situatë krejtësisht tjetër, por jo domosdoshmërisht në atë që duhet bërë pasi ka nevojë dhe për investime të tjera që kanë të bëjë me daljet nga autostrada dhe për hyrjet në rrugë me qëllim që të lidhen komunitetet e kësaj rruge.

IlvaTare: Ndërkohë duhet pritur që kjo marrëveshje konçesionare për të ndërhyre për të lidhur komunitetet apo do të veproni gjithësesi përpara se të ndodh kjo?

Ministri Haxhinasto: Ne do të kerkojmë që pavarësisht se në konceptin fillestar të rrugës nuk kanë qenë të parashikuara, besoj që gjatë periudhës së negociatave  do ta kërkojmë edhe këtë element që të rregullohet  hyrja dhe dalja në këto rrugë të rendësishme. 

IlvaTare: Besoj se jeni I vetëdishem për zhumën që shkaktoj tarifa prej 5 euro që u përfol që të vendose nga ky koncesion , është ende në fuqi kjo shifër?

Ministri Haxhinasto: Jam i vetëdijshem  por mund të them që kemi ruajtur një nivel tarife më të ulët se mesatarja e rajonit. Kjo është normale dhe nuk kemi pse të çuditemi nga vendosja e një regjimi të tillë , nga  një tarifë për rrugën, praktikë e njohur nëdrkombëtare. Kjo rrugë ka nevojë të mirëmbahet dhe fatura e mirëmbajtjes është kosto jashtëzakonisht e lartë.

IlvaTare:  Rruga e Arbërit gjithashtu një rrugë e rendësishme , një aks i premtuar më në fund është firmosur një kontratë pati polemika nga opozita për mungesë transparence . Si është e vërteta?

Ministri Haxhinasto: Sot kemi të miratuar një ligj, që e përjashton këtë rrugë nga proçedurat standarde të konçesionit dhe na jep të drejtën të negociojmë tre ministrive, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë negociimin e një kontratë, pasi ne deshëm të tregoheshim do të thoja juajal me këtë ofertë që vinte nga pala kineze e cila sillte paratë e veta, kishte bërë kërkesën dhe kishte arritur të siguronte financimin nga Exim Bank, që është banka kineze në mbështetje të investimeve jashtë Kinës. Dhe sigurisht nuk mund të organizonim një proçess, i cili do  të kishte synim të nxirrte fituese  këtë si kompani, pasi kjo erdhi me parate e saj, arriti në një konkluzion paraprak se në çfarë formule mund të aplikohej në ndërtim e kësaj rruge dhe për këtë seriozitet menduam se mënyra më e ndershme është që kjo të bëhet me ligj , me transparencë të plotë përpara publikut, ja ku është oferta kineze, ja çfarë kemi arritur ne dhe besoj se kështu do të vazhdojë.

IlvaTare:   Ka afate se kur fillojnë punimet, kur përfundojnë , kushtet  që ka vendosur dhe pala kineze?

Ministri Haxhinasto: Qëllimi është që në fillim të vitit të ardhshëm kompania të fillojë ndërtimin.

IlvaTare:   Dhe ka një tjetër kuriozitet që vjen nga vendet fqinje nga  rajoni, Mali i Zi. Kompanite Kineze kur investojne në një vend dhe hynë në treg sjellin punonjësit e tyre do të jetë ky rasti në Shqipëri apo do të punësojnë edhe qytetarë vendas?

Ministri Haxhinasto: Kjo rregullohet nga ligji i punës besoj,  aty janë të sanksionuara shumë qartë se sa % e punëtorëve mund të sillen nga investitorët ose ata që ekzekutojnë kontrata të caktuara është një përqindje fikse, që nuk lidhet me ndonjë shifër të jashtëzakonshme është 10% në djeninë time.

IlvaTare:  Kthehemi pak tek zgjedhjet. Mazhoranca në provën e parë elektorale pas 18 muaj qeverisje, si e shihni ditën e 21 Qershorit si një ditë prove dhe për punën që ka bërë kjo mazhorancë PS-LSI?

Ministri Haxhinasto: Unë mendoj se 21 Qershori është një hap tjetër i rëndësishëm i kësaj mazhorance për të konfirmuar drejtësinë e rrugës që ajo ka filluar, për transformimin e vendit, sigurisht që do të jetë edhe një test në kuptimin e mbështetjes zgjedhore të qytetarëve,  por unë e shikoj me shumë optimizëm, dhe besoj se rezultati edhe nga sinergjitë e krijuara nga kualicioni për Shqipërinë Evropiane do të jetë Iiqartë , i pastër dhe do të konfirmojë vazhdimësinë e një mbështetjeje shumë të madhe zgjedhore  që ka aktualisht. Kështu që në këtë vazhdimësi besoj që të gjithë palët do të kenë edhe kurajon politike dhe vizionin politik për të axhustuar çfarë është e nevojshme, me një qëllim të vetëm që të gjitha reformat që janë iniciuar ,dhe duhet të them se nuk pata mundësinë të flas për shumë reforma që në Ministrinë e Transportit janë iniciuar, si reforma për ujin apo dhe reforma e transportit ndërqytetas dhe shumë reformat të tjera të japin efektet e tyre gjithmonë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

IlvaTare:  Po kualicioni ndërkohë si po funksionon , përgatitjet përpara zgjedhjeve , fushata si do të jetë e koordinuar , a do të ketë një përqendrim me të madh të LSI-së në bashkitë ku kandidojnë kandidatë të saj të mbështetur nga e gjithë mazhoranca?

Ministri Haxhinasto: Mua më rezulton se ka një sinergji si asnjëherë më parë, përsa i takon përgatitjeve të palëve ose pjesëtarëve veçmas dhe të kualicionit si një i tërë. Shumë  e rëndësishme që kjo frymë, që është shumë evidente në nivelin qëndror, po përçohet deri te anëtari më i thjeshtë i secilës forcë politike, për të arritur maksimizimin e rezultatit zgjedhor. Sigurisht që ky nuk është as një ushtrim statisikor , as një ushtrim matematikor, por këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë thelbësore që është vazhdimi i reformave , ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët , shërbime që sigurisht duhet të kalojnë në një proçes transformimi se vijnë nga një reformë shumë të thellë historike të pushtetit vendor.

IlvaTare:  Që ndoshta mund të ketë edhe kosto?

Ministri Haxhinasto: Sigurisht që potencialisht mund të ketë edhe kosto, por unë kam bindjen që gjithshka që është bërë, dhe  përsëris atë që thashë dhe më parë  duke pasur parasysh dhe maturinë politike të këtij kualicioni dhe të gadishmërisë së tij për vetëkorigjim dhe për përmirësim të mëtejshëm e ndaj besoj se kostot do te jenë minimale. Përkundrazi unë shikoj një rezultat i cili është një rikonfirmim i qartë të rezultatit të  23 Qershor 2013.

IlvaTare:   Kjo është edhe pyetja e fundit në fakt. Kur thoni maksimalizim të rezultateve thoni të njëjtin rezultat të 2013 apo ndonjë rritje për LSI-në ?

Ministri Haxhinasto: Sigurisht që politikanët duhet të përmbahen në parashikimet zgjedhore, por unë shikoj frymën që ekziston pasi jam në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit me qytetarët , jam i ngarkuar në zonën e Elbasanit, si sekretar politik i të gjithë njesive , të bashkive duke filluar nga Përrenjasi, Librazhdi, Elbasani , Gramshi, Cërriku dhe Peqini dhe besoj se do të kemi një rikonfirmim të rezultatit në mos një rritje të tij.