Postuar më: 09 Shkurt 2016

Ministri Haxhinasto: Reforma në transportin ndërqytetas më shumë cilësi për qytetarët

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në një intervistë për televizionin Top-Channel, ka sqaruar disa nga pikat kryesore që ka reforma në transportin ndërqytetës, që pritet të miratohet së shpejti në parlament.

Haxhinasto u ndal te mënyra si do të bëhet ndryshimi i flotës së autobuzëve nga kompanitë që operojnë në këtë sektor, apo edhe ndarja e re e linjave ndërqytetëse. Ndër risitë e rëndësishme të kësaj reforme është biletimi elektronik, ku qytetarët do të paguajnë në bazë të kilometrave që do të bëjnë.

Intervista e plotë.

Çfarë ndryshimesh parashikon reforma në Transportin Ndërqytetës?
Ndryshimi i ligjit për transportin ka të bëjë me një reformë të thellë që ne kemi kohë që e pregatisim në fushën e transportit ndërqytetës, sektor që është trashëguar në një situatë shumë anarkike, e cila nuk kishte as rentabilitet dhe kishte evazion të lartë. Ndërkohë nuk ofronte cilësi për qytetarët. Amendimet që ne çojmë për këtë reform, kanë si qëllim të stabilizojnë këtë sektor, jo vetëm për ekonominë por para së gjithash për cilësinë që i ofrohet qytetarëve. Shqipëria, sot ka dyfishin e linjave të nevojshme, rreth 80 % e autobuzave jashtë çdo lloj standarti normal. Ju e kuptoni si është gjëndja. Por nëqoftëse ne korrigjojmë këto 2 tregues, pra respektojmë numrin e itinerareve, që është konkluduar nga një studim shumë serioz edhe me konsulencë ndërkombëtare, do të sjellë edhe reduktimin shumë të rëndësishëm të shpenzimeve që bëjnë këto operator. Nëse rrisim cilësinë e shërbimit do të kemi një trend në rritje të numrit të pasagjerëve që përdorin transportin ndërqytetas, dhe sigurisht edhe shumë element që kanë të bëjnë me sigurinë. Atëherë tregu do të stabilizohet dhe do të kemi një cilësi shërbimi ashti siç e kanë vendet e rajonit dhe siç e ka Europa.

Si do të ndryshojnë flotat e autobuzëve?
Aktualisht në tregun e këtij shërbimi kemi operator që janë private, janë subjekte private, janë dhe individë, të cilët marrin liçensa dhe futen në operim. Nga kjo reformë do të kemi shoqëritë e transportit për çdo bashki dhe shoqëria e transportit do të bëjë që edhe fuqia ekonomike për të rinovuar flotën e autobuzëve të jetë më e madhe dhe të ketë mundësi për të kthyer investimin, së pari për të realizuar dhe më pastaj për të kthyer investimin që pritet. Ne kemi bërë një kalendar të rinovimit të flotës në tërësi dhe kemi konkluduar që sektori ka mundësi financiare të rekuperojë rreth 20 % të flotës çdo vit për të gjitha bashkitë e vendit, dhe brënda një periudhë 5 vjeçare të rinovojnë flotën e autobuzëve që operojnë sot në transportin ndërqytetas.

Të kujt viti do të jenë autobuzët që duhet të kenë operatorët?
Në planin tonë të transportit ne kemi vendosur një referencë vjetore pasi të miratohet ligji në parlament, do të behët publike. Kemi llogaritur gjendjen aktuale të flotës që kanë të gjithë operatorët, mbi këtë bazë kemi vendosur një vit të arsyeshëm që do të jetë si pikë reference për të bërë rinovimin e flotës. Ideja është që çdo vit pasardhës ka një vjetërsi të re autobuzësh, kështu që nuk mund të vendosim një vit fiks në legjislacion. Por sigurisht kjo do të jetë produkt edhe i miratimit që do të behët edhe nga ana e parlamentit, duke miratuar aktin përkatës nënligjor.

Ligji parashikon edhe biletimin elektronik, si do funksionojë ky shërbim?
Nga analiza aktuale në transportin ndërqytetas ka një evazion shumë të madh në biletimin e këtij sektori. Ne kemi besimin që me stabilizimin e tij, do të ketë një rritje të konsiderueshme e të ardhurave për operatorët dhe fuqizim të aftësisë së tyre për rekuperimin e investimit, rrjedhimisht edhe për rinovimin e flotës. Ne do të përdorim parimin e pagesës për kilometër, pra qytetarët do të paguajnë për kilometrat që bëjnë në linjat që do të ketë vendi. Këtë do e fillojmë me një projekt pilot në 3 linjat kryesore, Tiranë- Durrës, Tiranë- Elbasan, Tiranë– Shkodër, për të parë si funksionon duke vendosur njësinë elektronike nëpër mjete dhe në terminalet e autobuzëve dhe kështu qytetarët do të pajisen me bileta elektronike, që do të bëjnë pagesën në biletë të distancës që përshkrohet nga qytetari. Përsa i përket shitjes të gjitha format do ti përdorim për ti krijuar lehtësira sa më të mëdha qytetarit. Por parimi do të jetë që pagesa do të bëhet mbi bazën e distancës që do të realizohet.

Po për tregun e furgonave çfarë parashikon ky ligj?
Termi furgon është një term që ne e kemi shpikur vetë, në fakt ato mjete që ne u referohemi si furgona janë autovetura, të cilat nuk mund të futen në linjat e rregullta midis qyteteve. Ato do të kenë një front pune edhe në bazë të këtij legjislacioni që ne po miratojmë. Duke pasur parasysh edhe linjat që ne kemi vendosur në legjilacionin që janë linjat kryesore, linjat ushqyese dhe linjat qytetëse. Kategoria e këtyre autoveturave siç e kemi deklaruar dhe më përpara mund të futet në transportin rreth qytetas që do të jetë një shërbim i nevojshëm për qytetarët. Por sigurisht do të ushqejë edhe linjat e tjera kryesore, ku do të jetë e domosdoshme për të përdorur autobuz me tiparet fizike teknike të larta të sigurisë dhe të konfortit për qytetarët.