Postuar më: 13 Nëntor 2013

Fjalimi i mbajtur nga Ministri Haxhinasto në Konferencën Kundër Korrupsionit

Dëshiroj të filloj prezantimin tim duke shprehur se korrupsioni përveç dimensionit të tij të rëndë moral ose fenomenit  moral që ka është edhe një fenomen ekonomik, një kosto shumë e rëndë për shoqërinë dhe qytetarin. Është shtesë kostoje në të gjithë shërbimet që atij i ofrohen nga infrastruktura dhe të gjitha shërbimet e tjera.

Në kuptimin penal korrupsioni është përdorimi i funksionit publik për përfitime personale , pra është forma më e rëndë e tij. Por ai mer trajta të ndryshme,forma të ndryshme dhe është produkt i veprimeve të ndryshme që kanë të bëjnë sigurisht dhe me qeverisjen dhe me funksionet publike.

Ka të bëjë edhe me papërgjegjshmërinë në planifikim, paaftësinë në zbatimin e planeve dhe strategjive . Është rezultat i trafikimit të influencës , i politizimit ekstrem por edhe i mungesës së llogaridhënies.

Të gjitha këto kanë një produkt të njejtë, dëm ekonomik, material i një komuniteti përgjithësisht por edhe të një shoqërie. Pra përmasat e këtij impakti shumëfishohen veçanërisht kur bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve publike.Të fondeve që në fund të fundit janë kontributet e qytetarëve, janë taksat e qytetarëve.

Në rastet kur ato shpenzohen për infrastrukturën e cila në fakt ka marrë rreth 50% të shpenzimeve publike të buxhetit të shtetit pra, përmasa e këtyre fondeve sigurisht që është e jashtë zakonshme . Pra dhe sfida jonë është rrjedhimisht e jashtë zakonshme për të realizuar shpenzime efektive dhe për të ofruar cilësinë e shërbimeve tona.  

Spektri i ndërhyrjes sonë është i gjërë dhe produkti përfundimtar është sigurisht më i konkretizuar, më i fokuzuar.Ka të bëjë me mirë administrimin por ka të bëjë në fund të fundit edhe me cilësinë e jetës së qytetarëve. Ka të bëjë me të sotmen, ka të bëjë dhe me të ardhmen,veçanërisht kur flasim për dimensionin e impakteve mjedisore që një veprim i tillë apo një sipërmarrje e tillë realizon. Kështu që ndërhyrja jonë duhet të fillojë tek planifikimi .

Planifikimi nuk mund të jetë i ngritur mbi bazën e interesit politik, mbi bazën e interesave të kostituencave apo të zonave elektorale. Por duhet të ngrihet mbi përfitimin e komunitetit dhe integrimin e faktorëve të impakteve ekonomike dhe sociale që ai mer nëpërmjet investimeve publike.
Investimi do të ketë një përqasje të re në konceptimin e tij, do të jetë i tillë që do të konceptohet dhe të realizohet në çdo hallke të projektit, që nga faza konceptuale, nga realizueshmëria, nga projektimi, nga shpronësimi, nga zbatimi konkret efektiv funksional, por edhe nga mirëmbajtja ajo që vjen pas realizimi konkret të tij.

Planifikimi gjithashtu duhet të jetë dhe do të jetë i integruar, të shoqërohet me të gjithë elementet e tjerë të këtij sektori apo të sektorëve të tjerë të lidhur  me qëllim që ky investim të arrijë optimumin e tij. Pra nuk mund të planifikojmë më një ujësjellës në qoftë se nuk planifikojm dhe ndërtimin e sistemit të trajtimit të ujrave të ndotura. Nuk mund të planifikohet rrugë në qoftë se nuk planifikojmë aksesimin e kësaj nga lokalitetet që janë përgjatë kësaj rruge. Nuk mund të planifikojmë, të investojmë dhe të shfrytëzojmë  kapacitete tona portale, portet tona le të themi në qoftëse nuk planifikojmë dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse hekurudhore apo rrugore duke ngritur mundësinë e intermodalitetit, nga një modë transporti në një tjetër. Ky është një kriter i përgjithshëm nuk është konkret vetëm për këto që përmenda.

Planifikimi duhet të jetë i tillë që të shtrihet deri në përfundimin e veprës dhe në dhënien e atij shërbimi që synon të japi vepra. Nuk mund të planifikojmë vetëm për fillimin e veprave, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për qëndrimin e kësaj qeverie, nuk ka ndonjë pasion të madhe për inagurime dhe për sherita, por për shërbime që ofrojnë ato vepra që përfundojnë. Pra nuk mund të ketë më ujësjellësa që nuk çojnë më ujin në rubinet dhe nuk mund të quhet e përfunduar një rrugë, nuk mund të inagurohet një rrugë në qoftëse nuk ka të gjithë elementet përbërëse të saj. E kam fjalën këtu për elementet e sigurisë, elementet e sinjalistikës dhe të gjithë elementet e tjerë.

Ndërhyrja jonë do të jetë gjithashtu në proçesin e prokurimit. Proçesi i prokurimit elektronik do të vazhdojë, do të përmisohet më tej, do të jetë i pacenueshëm pasi fatkeqsisht ka pasur raste kur edhe nëpërmjet tij është ndërhyrë duke krijuar  abuzime. Do të vendoset një kriter i qartë mbi ofertën më të ulët. Nuk mund të ketë më ofertë më të ulët që kompromenton cilësinë e projektit. Sigurisht kosto më e ulët brenda standartit të caktuar dhe standarti nuk mund të jetë veçse standarti më ilartë i pranueshëm që është standarti evropian për realizimin e veprave. Sigurisht përveç përfundimit të veprave do të shtojmë një dimension tjetër që sot është në minimalen e tij, është mirëmbajtja e tyre.

Do të jetë një drejtim themelor i punës sonë por edhe një drejtim themelor për të rritur efikasitetin e investimit. Sot në qoftëse flasim vetëm për rrugët për shembull kemi vetëm 15% të planifikuara në buxhet. Ky është problem që planifikohet në nivele të tilla të ulta sepse kjo shumë ka ardhur në mënyrë komulative, ka ardhur si rezultat i konceptit se mirëmbajtja është ajo që mbetet, ajo që mund të na ngelet për të realizuar.

Ndërkohë që ajo është një investim, një investim kapital shumë i rëndësishëm për të ruajtur vetëveten, për të ulur shkallën e amortizimit dhe rrjedhimisht për të penguar shkatërrimin e saj dhe humbjen totale të vlerave të jashtëzakonshme që janë investuar. Pra me fjalë të tjera me anë të mirëmbajtjes ne realizojm as më pak e as më shumë ruajtjen e pasurisë kombëtare veçanërisht në sektor të tillë ku është investuar më shumë se 50 % e buxhetit të shtetit.

Drejtim tjetër shumë i rëndësishëm i punës  sonë do të jetë, e përmenda pak më lartë por nuk është mjaftueshëm ta përmendim edhe disa here. Standarti , standarti dhe kërkesa e standartit dhe rigoroziteti në kërkesën ndaj standartit në të gjithë realizimin e veprave publike. Në shumë fusha nuk kemi akoma standarte ose kemi standarte të tejkaluara, shumë të prapambetura. Pra dhe ky do të jetë një drejtim shumë i rëndësishëm i punës sonë  për të rritur efikasitetin e parasë publike dhe të investimeve.

Shumë e rëndësishme për ne është të hapim tregun, të ofrojmë shërbime me cilësi. Të eleminojmë monopolet dhe të ulim kostot nëpërmjet konkurencës së ndershme.Do të mbështesim veprimin e operatorëve të ri veçanërisht në transport,në të gjitha format  e transportit pasi në shumë prej tyre, e kam fjalën edhe për operatorët edhe për sektorët e ndryshëm të transportin cilësia lë shumë për të dëshiruar. Nuk mund të jemi konkurues në keto sektorë ku cilesia është ajo që bën diferencën. Prandaj cilësia dhe standarti do të jenë pika e referencës edhe për transportin.

Ndërhyrja jonë për efikasitet do të jetë dhe në aspektin institucional, tashmë ka filluar një reformë, një reformë e mirë do të thoja.Janë ulur ndjeshëm shpenzimet, kemi bërë hapa përpara në fillimin konceptimit të planifikimit si i integruar atë që përmenda më lartë. Kemi reflektuar këto funksione në organizimin strukturor të ministrisë duke i dhënë relevancën e duhur jo vetëm planifikimit që përmenda por monitorimit, standartizimit dhe planifikimit të integruar të burimeve financiare nga të gjitha burimet, nga burime të brendshme dhe të huaja.

Do të vendosim shumë shpejtë një metodologji të re për tërheqjen e investimeve të huaja duke ecur drejt projekteve të përgatitura me qëllim që investirorët e huaj të mos humbin kohë por të angazhohen në mënyrën më të shpejtë në realizimin e projekteve që ne do të paraqesim. Po keshtu një drejtim shumë i rëndësishëm i këtij ndryshimi strukturor është tek njerëzit, tek efiçensa dhe cilësia e nënpunësit civil. Ndërhyrje imediate duhet bërë në sistemin e rekrutimit, do ta përmisojmë nëpërmjet proçeseve të hapura dhe transparente. Pasi nuk mundet që një institucion të ketë nënpunës civilë që e kanë marë statusin 100% personave që kanë filluar punë me kontratë. Nuk mund të jetë keshtu, nuk ka pasur konkurencë kjo do të ndryshojë. Po kështu nuk mundet që një institucion të ketë raport të zhdrejtë midis ekperiencës së punës dhe nivelit të hierarkisë. Rezulton që niveli i hierarkisë është në përpjestim të zhdrejtë me eksperiencën  e punës. Edhe kjo duhet të ndryshojë që ata që kanë eksperiencë, që kanë cilësi të jenë në nivele drejtuese.

Institucionet e varësisë do të kalojnë një proçes reformimi. Ato do të kenë si pikë reference kapacitetin më të lartë planifikues, zbatues dhe monitorues duke mos pranuar asnjë standart tjetër veçse më të mirin.

Aspekt shumë i rëndësishëm dhe e lashë për në fund është marrëdhënia me biznesin. Në faktë në qoftëse secili prej jush do të pyetej se kush është sfida më e madhe që ka sektori i infrastrukturës do të mendonte për pagesat, dhe në fakte ky është një nga problemet më të mëdha. Ne nuk mund të lejojmë në të ardhmen që kontibuti i biznesit, i sektorit privat për zhvillimin e vendit të jetë nëpërmjet pagesave të pa realizuara nga qeveria, apo nëpërmjet mos pagimit të TVSH-së. Kjo marrëdhënie duhet të jetë korrekte, duhet të jetë transparente, duhet të jetë me përgjegjësi reciproke, duhet të jetë me respekt reciprok.

Vetëm kështu komuniteti i biznesit, vetëm kështu asetet private mund të realizohen në angazhimin e veprave publike. Ndaj kjo frymë e re kjo përqasje e re që kemi me biznesin  do konkretizohet dhe në forma parteneriteti publik dhe privat, në forma të tjera konçesionare me qëllim që të tërheqi sa më shumë asetet e lira të sektorit privat për të realizuar me efikasitet vepra publike dhe për të dhënë më  efikasitet sherbimeve publike.

Është një mënyrë efiçente, është një mënyrë që rrit shkallën e efikasitetit të perdorimit të parasë se në fund të fundit menaxhohet nga interesa private të cilat dhe në mënyrë statistikore rezultojnë të jenë më efikas se sa shumë ente apo institucione shtetërore në përdorimin e parasë. Pra me këtë koment të fundit do doja ta përfundoja që me perpjekjet tona për të realizuar një reformë të plotë, të tërësishme, për të shfrytëzuar me efikasitet, për të përdorur me efikasitet çdo qindarkë çdo aset publik, për ti dhënë qytetarëve shërbime cilësore, për të krijuar efikasitetin e sektorit për konkurueshmëri më të madhe dhe për të ofruar shërbime më cilësore, ne do të bëjmë këtë reformë ku jemi të bindur se do të ketë efektet e veta.