Postuar më: 08 Nëntor 2013

Haxhinasto dhe Damanaki: Shqipëria pjesë e rëndësishme e strategjisë së BE-së për detin Jon dhe Adriatik


Ministri i Transportit dhe Infrastrukturë z. Edmond Haxhinasto takoi sot një delegacion të BE-së të kryesuar nga zj. Maria Damanaki, Komisionere për Politikat Detare dhe Peshkimin.

Gjatë takimit u diskutua për bashkërendimin e punës në drejtim të politikave detare sipas perspektivës së BE-së, ku theksi u vu tek hartimi i Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko – Jonian dhe kontributin e vendit tonë në këtë Strategji.
  
Ministri  Haxhinasto  u shpreh se Shqipëria e konsideron këtë strategji të rëndësishme. “Mbështesim Strategjinë e BE-së për rajonin e Adriatikut dhe Jonit, duke i dhënë rëndësi dimensionit rajonal të saj”, shtoi ai.                

Znj. Damanaki u informua mbi synimet e Qeverisë shqipëtare për zhvillimin e infrastrukturës së porteve të reja, ku porti i ri i Shëngjinit zë vendin kryesor.  

Në këtë drejtim tha Haxhinasto është miratuar në Parlament ligji i ri Mbi Sigurinë në Anije dhe në Porte, mbi bazën e direktivës përkatëse, konsolidimin e administratës detare, zhvillimin e sistemit të porteve, përfshirë portin detar të Shëngjinit. 

Ministri Haxhinasto e informoi Komisioneren Damanaki mbi zhvillimet në Korridorin Adriatiko – Jonian dhe bashkëpunimin me vëndet nga ku kalon ky Korridor për të paraqitur projekte të përbashkëta. Gjithashtu Ministri e informoi znj. Damanaki mbi sfidat që po has sektori i transportit, mirëmbajtjes si dhe ai i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. 

“Do të angazhojmë më shumë sektorin privat në financimin e veprave të infrastrukturës, në marrveshje koncesionare”, tha Ministri  

Nga ana e saj znj. Damanaki i vlerësoi planet që do të ndërmerren nga Qeveria si dhe përpjekjet e saj për të vendosur kredibilitetin tek investitorët.