Postuar më: 06 Qershor 2016

Kosovë, zhvillohet mbledhja e dy qeverive, ku nënshkruhet marrëveshja për njohjen e çertifikatës së Tahografit. Haxhinasto: Kjo marrëveshje lehtëson transportin e njerëzve dhe mallrave

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka firmosur marrëveshjen mes Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për njohjen e ndërsjelltë të çertifikatës për testim/kalibrim të Tahografit për mjetet rrugore. Duke folur në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Haxhinasto u ndal te bashkëpunimi mes Ministrive së Transportit të dy vendeve, duke theksuar se kjo marrëveshje do të lehtësojë më shumë transportin e udhëtarëve dhe mallrave mes vendeve.

“Integrimi I dy vendeve tona kërkon rritjen e bashkëpunimit në fushën e transportit. Kjo është një marrëveshje me shumë rëndësi për transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Sëbashku me palën kosovare me të cilën kemi bashkëpunim të shkëlqyer, kemi identifikuar pjesët e infrastrukturës tonë si pjesë të rrjetit rajonal Europian. Rruga e Kombit, është pjesë e rrjetit rajonal dhe europian të infrastrukturës, është një aks kryesor për lidhjen me Korridorin 10, Korridorin Adriatiko-Jonian, duke qëndruar në zemër të rajonit me rëndësi strategjike për konektivitetit, jo vetëm për vendet tona por edhe më gjerë. Kemi arritur progres në planin dypalësh në liberalizimin e tregut, me qëndrime të hapura dhe mbështetëse, përsa I takon integrimit të mëtejshëm të tregut dhe heqjes së barrierave jo fizike. Sfidë për ne, mbetet rritja e trafikut ekonomik në “Rrugën e Kombit”, dhe në portet shqiptare. Kemi shprehur gadishmërinë për të realizuar traktatin e “Komunitetit të Transportit” për rajonin, nisëm e rëndësishme për Samitin e Parisit. Do të vazhdojmë me sfidat e tjera për të përhapur modelin e suksesshëm “One Stop Shop”. Jam I bindur se Samiti I Parisit, do të reflektojë produkte konkrete , për rritjen e lidhshmërisë mes vendeve tona dhe të rajonit”.