Postuar më: 27 Gusht 2016

Ministri Haxhinasto, inspektim në punimet për ujësjellësin e ri të Durrësit. Ministri inspekton edhe punimet e by-passit të Fierit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka inspektuar punimet në 2 vepra të rëndësishme infrastrukturore, si ujësjellësi i ri për qytetin e Durrësit dhe by-passin e Fierit. Ndalesa e parë e Ministrit ishte në Fushë Kuqe në Milot, ku po punohet për vendosjen e tubacioneve në burimet që do furnizojnë me ujë qytetin e Durrësit. Ministri Haxhinasto tha se ky ujësjellës ka një gjatësi prej 68 km, dhe një vlerë ndërtimi 31 milion euro. Ai sqaroi edhe risitë teknologjike që janë duke u përdorur për këtë vepër.

"Ujësjellësi i ri do të zgjidhë problemin e ujit për zonën e Durrësit. Në këtë projekt po përdoren për herë të parë teknologji moderne që garantojnë siguri dhe cilësi të ujit. Kjo vepër e rëndësishme duhet të mbarojë për 24 muaj. Prurjet në këtë ujësjellës do jenë 650 litër për sek, dhe besojmë se do të zgjidh problemin me ujin për gjithë Durrësin dhe zonën përreth".

Më pas Ministri Haxhinasto u ndal në kantierin e ndërtimit në by-passin e Fierit, ku janë përfunduar mbi 50 % e punimeve. Haxhinasto nënvizoi se në këtë vepër, ecuria e kohëve të fundit ka qënë pozitive.

"Pozitive është që kompania "Serrenisima" ka filluar punën me ritme të larta. Në këtë vepër të rëndësishme për Jugun e vendit, janë realizuar mbi 50% e veprës dhe puna është në rritje. Kompania po angazhon mbi 100 kamione që punojnë në vepër, dhe volumi ditor është i lartë. I bëj thirrje kompanisë që të përshpejtojë punimet për të përfunduar në kohë optimale këtë vepër të rëndësishme".