Postuar më: 31 Korrik 2015

Ministri Haxhinasto inspekton punimet në ndërtimin e impiantit të ujërave të përdorura të Tiranës së Madhe: Nga kontraktorët e huaj presim korrektësi dhe standartin më të lartë ndërkombëtar

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, zoti Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një inspektim në objektin në ndërtim, Impianti Përpunimit të Ujërave të Përdorura të Tiranës Madhe, pjesë e projektit të bashkë financuar nga Qeveria Japoneze “Projekti i Përmirësimit të Sistemit të Kanalizimeve dhe Ndërtimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për Tiranën e Madhe”.

Pasi zhvilloi një mbledhje pune me drejtuesit e projektit, supervizorin dhe kontraktorin, Ministri inspektoi nga afër ritmin dhe cilësinë e punimeve, ku deklaroi se ndonëse ritmet e punimeve janë rritur, projekti ka vonesa, që kanë ardhur si rezultat i keq-planifikimit fillestar. Ai i kërkoi kontraktorit respektimin e afateve të punimeve dhe cilësinë e tyre, për t’i shërbyer rreth 342 mijë banorëve të Tiranës, për sa i takon përpunimit të ujërave të zeza.

Duke folur për çështjen e trajtimit të ujërave të zeza në tërësi, Ministri deklaroi se “Është një problem i madh që kemi në vend, ku sot që flasim, operojnë vetëm 8 impiante të trajtimit të ujërave. Janë investuar rreth 120 mln euro për këtë qëllim, por nevojat e vendit janë shumë më të mëdha. Mund t’Ju them që nga 272 milion m3 ujë që prodhohet për konsum të popullatës, vetëm 20 milion prej tyre përpunohen, që do të thotë që vetëm 6-7% e ujit përpunohet, ndërkohë që duhet të pastrohet i tëri, që të eliminojmë impaktin negative në mjedis”.

Pjesë e planeve të qeverisë është angazhimi më i madh i resurseve të brendshme dhe angazhimi i donatorëve dhe vendeve partnerë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori. Ministri Haxhinasto theksoi se prioritet për këto investime marrin zona turistike, dhe për këtë do të kryhen studime integrale për blloqet kryesore të bregdetit, duke filluar me bllokun e Velipojën, Shëngjinin, gjirin e Durrësit,  të Vlorës e Sarandës, me qëllim fokusimin e burimeve tona për të rritur efikasitetin e investimit dhe për të ofruar një infrastrukturë sa më cilësore për industrinë ë turizmit.

Projekti në zbatim kap vlerën e 110 milion dollarëve, pritet t’u shërbejë rreth 340 mijë banorëve të Tiranës dhe ka një afat përfundimi deri në fund të viti 2016.