Postuar më: 02 Mars 2016

Ministri Haxhinasto merr pjesë në takimin me ministrat e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Transportit dhe Energjisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, që u drejtua nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn. Ministri Haxhinasto, u shpreh në takim në mbështetje të heqjes së pengesave jo fizike në transportin midis vendeve dhe për liberalizimin e mëtejshëm të tregut.

Ai paraqiti punën e gjërë që është bërë nga Shqipëria, në heqjen e këtyre pengesave, duke aplikuar modelin “One Stop Shop”, “Një doganë dhe Një pikë kufitare”, që po aplikohet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, shembull që u trajtua si një model që duhet ndjekur nga gjithë rajoni. Haxhinasto, kërkoi një anagazhim më të madh nga ana e institucioneve financiare europiane, për të investuar në projektet e infrastrukturës rajonale, veçanërisht në “Rrjetin Bazë”. Këto investime janë të domosdoshme të realizohen paralelisht me hapat për liberalizimin e tregut të shërbimeve të transportit në rajon. Haxhinasto, kërkoi veprim të përbashkët për të ulur kostot e kalimit të kufirit në vendet e rajonit, që janë 5 herë më të larta se ato në vendet e BE-së.

Ministri u shpreh se në përputhje edhe me rekomandimet e samitit të Vjenës, Shqipëria po e trajton në mënyrë prioritare çështjen e mirëmbatjes së rrjetit rrugor, duke përmendur edhe projektin e Qeverisë Shqiptare, për mirëmbatjen e 1300 km rrugë me standarte, në vlerën prej 100 milion eurosh, për 5 vitet e ardhshme. Ai përmendi gjithashtu vëmendjen për rritjen e sigurisë në rrjetin rrugor dhe situatën e përmirësuar të sinjalistikës dhe të sigurisë në të, që ka sjellë ulje të aksidententeve në rrugë, në përputhje me angazhimet e marra ndërkombëtare.

Haxhinasto, shprehu mbështetejen e Shqipërisë për të realizuar Traktatin e Transportit të Rajonit përpara samitit të Parisit, të 4 korrikut 2016.
Pas takimit ministri ju përgjigj edhe interesimit të mediave për takimin.