Postuar më: 18 Prill 2016

Ministri Haxhinasto takim me nënkryetarin e Bashkisë Torino. Haxhinasto e njeh me reformën në transportin ndërqytetas

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka pritur në një takim nën kryetarin e Bashkisë së Torinos, Claudio Lubatti, dhe përfaqësues të kompanisë së transportit italine “GTT”. Në takim u diskutua për përforcimin e bashkëpunimin në transportin ndërqytetas, por edhe shkëmbimin e eksperiencës në monitorimin dhe kontrollin trafikut.

Z. Lubatti, i paraqiti Ministrit përshëndetjet e kryetarit të Bashkisë së Torinos, Piero Fassino dhe e njohu me marrëdhëniet e shkëlqyera që bashkia ka me komunitetin shqiptar atje. 
Ministri Haxhinasto, e informoi zotin Lubatti me reformën që është ndërmarrë në transportin ndërqytetas, duke theksuar se sfida e reformës është ristrukturimi i plotë i këtij sektori, krijimi i shoqërive aksioneve në bashkitë e vendit, dhe rinovimi i flotës brënda 5 viteve të ardhshme, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Nënkryetari Lubatti, u shpreh i gatshëm për të ofruar eksperiencën torineze për palën shqiptare.
Më tej zoti Lubatti, e njohu ministrin edhe me sistemin e biletimit elektronik që po aplikohet në Torino, eksperiencë që ka rezultuar e sukseshme por edhe duke sjellë efekte në ekonomi, pasi redukton me 20-30 % evazionin në këtë sektor.

Ministri Haxhinasto, tha se biletimi elektronik është në planet e Ministrisë, për ta aplikuar si projekt pilot në 3 linja kryesore Tiranë-Elbasan, Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Shkodër, me qëllim që qytetarët të paguajnë vetëm për kilometrat që përshkrojnë.
Ministri Haxhinasto, i uroj përfaqësuesve të të majtëve italianë në Bashkinë e Torinos, suksese në zgjedhjet e qershorit.