Postuar më: 17 Korrik 2015

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, zoti Edmond Haxhinasto, inspektoi sot punën në dy segmente të rëndësishme në jug-lindje të vendit, rrugën Lin-Pogradec dhe rrugën Qukës-Qafë Plloçë, për të cilat u shpreh se po ecin me ritme të kënaqshme.

Gjatë inspektimit në rrugën Lin-Pogradec Ministri theksoi rëndësinë e kësaj vepre për industrinë turistike për zonën e Pogradecit dhe të gjithë Juglindjes. Duke folur për ecurinë e projektit, Haxhinasto deklaroi “Projekti ka përfunduar fazën e pare të tij, në vlerën 24 miliard lekë, ku është e rëndësishme të theksohet që projekti ka pësuar ndryshime shumë të rëndësishëm, janë shtuar disa element të domosdoshëm për të respektuar standardin për turizmin e lartë që ka kjo zone, duke shtuar element dekorativ por edhe element të tjerë, siç është dhe trotuari mbi të cilin qëndrojmë, që do t’i japi vërtet kësaj rruge një potencial shumë të madh, për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë Liqenin e

Pogradecit, dhe për ata që dëshirojnë të ushtrojnë edhe sporte të ndryshme”.
Në fazën e dytë të tij, rrugës Lin-Pogradec do t’i shtohen elementët e gjelbërimit dhe të ndriçimit duke e shndërruar këtë segment në një ndër rrugët me standardin më të lartë në vend.

Më tej, Ministri Haxhinasto inspektoi punimet në segmentin Qukës-Qafë Plloçë, të cilin e cilësoi një segment shumë të rëndësishëm për rrjetit rrugor dhe të Korridorit 8-të. “Segmenti Qukës-Qafë-Plloçë do të lidh zonën e Librazhdit dhe Prrenjasit me zonën e Pogradecit dhe të Korçës. Distance midis Tiranës dhe Korçës, nga ky segment, do shkurtohet me rreth një orë.”:- tha ai. Shumë i rëndësishëm është ky projekt, veçanërisht për Malësinë e Mokrës, e cila do të jetë nga përfitueset kryesore.

Duke folur për potencialin ekonomik, Ministri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt ku përveç zhvillimit ekonomi përgjatë gjithë zonës, priten të angazhohen edhe shumë kapacitete njerëzore, gjatë fazës së ndërtimit, ku në pritet të ketë rreth 750 punëtorë të angazhuar në të gjithë gjatësinë e segmentit, që gjithashtu është një kontribut tjetër i rëndësishëm për familjet e të gjithë kësaj zone. 

Vepra, investimi më i madhe që zhvillon këtë vit Autoriteti Rrugor Shqiptar, është një financim prej mbi 150 milion dollarësh që do të ketë në përbërje të tij ura, tunele dhe vepra të tjera, mbi 11 të tilla. Përfundimi i këtij segmenti është parashikuar të jetë pas 36 muajsh.