Postuar më: 12 Janar 2017

Min. Dervishaj inspekton autostradën Tiranë-Durrës dhe Rinasin

Ministri I Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka zhvilluar një inspektim në autostradën Tiranë- Durrës, për të parë nga afër gjendjen e kalueshmërisë.

Ministri tha se gjatë orëve të natës së kaluar dhe mëngjesit të sotëm, ka pasur problematika në qarkullim por është ndërhyrë menjëherë dhe është bërë pastrimi dhe kriposja e gjithë aksit.

Dervishaj tha se situata e krijuar në Veri dhe në Jug të vendit, është e paprecedent sepse ka vite që nuk është parë borë në Vlorë, Sarandë, Fier apo Durrës, por që duhet të vlej të si një mësim i mirë për të qenë të vëmendshëm për të pasur masat e duhura për të përballuar çdo lloj situate.
Ministri njoftoi se duke filluar nga muaji tjetër, fillon projekti I mirëmbajtjes së rrugëve me Bankën Botërore.

“Duhet të keni parasysh diçka që për shkak të kulturës tonë të trashëguar dhe eksperiencës 25 vjeçare, ne kemi verejtur një problem shumë të madh që është planifikimi. Që do thotë që ne ndertojme rrugë por nuk marrim masat e nevojshme, nuk alokojme fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve, një komponent shumë i rëndësishëm. Vlen për tu theksuar se për herë të parë këtë vit po fillon një projekt shumë i rëndësishëm me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen e rrugëve nga 4000 kilometra rrugë nacionale, rreth 1300 prej tyre do te mbahen me një koncept të ri, krejtësisht të ndryshuar me një performancë totalisht të ndryshme në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore. Me një kredi që B.B ka ofruar për këtë sektor prej rreth 150 mln dollarë. Aktualisht procedurat kanë përfunduar, është në proces e sipër negocimi i kontratave me kontraktorët ndërkombëtare dhe do të filloj shumë shpejt, maksimumi fillimi i muajt të ardhshëm, hapet faza e mirëmbajtjes së këtyre rrugëve me një koncept te ri. Mbetet pjesa tjetër rreth 2700 km rrugë që do të mirëmbahen prej “ARRSH” dhe kompanive te kontraktuara. Por dua ta theksoj se ka një shtesë fondi për mirëmbajtjen e rrugëve këtë vit”.

Ministri Dervishaj vijoi më tej inspektimin në Aeroportin Nënë Tereza, I shoqëruar edhe nga drejtori në detyrë I Aviacionit Civil Flamur Çelaj. Ministri u njoh me masat e marra për të përballuar situatën e krijuar Së fundmi si pasojë e rreshjeve të dendura të dëborës.