Postuar më: 06 Janar 2017

Ministri Dervishaj inspekton akset kombëtare në qarkun e Dibrës. Dervishaj: Të gjitha akset e hapura

Ministri I Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka vijuar ndjekjen e situatës së krijuar si pasojë e rreshjeve të dëborës dhe temperaturave, duke zhvilluar një disa inspektime në qarkun e Dibrës.

Ndalesa e parë e Ministrit Dervishaj ishte në Qafë Buall në Bulqizë, ku qarkullimi I mjeteve është pa probleme. Dervishaj tha se pavarësisht motit të ditëve të fundit, janë marrë masat dhe nuk ka asnjë problem në levizjen e mjeteve. Megjithatë ai I bëri apel drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të pajisen me zinxhirë, sidomos kur lëvizin në zona të qaktuara ku ka prani akulli.

Më tej Ministri Transportit dhe deputeti I zonës Përparim Spahiu, u ndalën në Urën e Çerenecit, që lidh Bulqizën me zonën e Librazhdit. Dervishaj dha një panoramë të plotë të situatës së qarkullimit, duke theksuar se nuk ka asnjë problem në qarkullim në akset kombëtare rrugore.

“Situata e akseve kombëtare është në monitoroim të vazhdueshëm, dhe janë marrë masat e domosdoshme. Ministria e Transportit dhe institucionet e tjera kanë marrë gjithë masat për përballimin e situatës. Por në këto ditë dua ti lëshoj një apel edhe personave të zgjedhur, që të mos bëjnë deklarata për përfitime politike. Në këto ditë duhet të jemi të kujdesshëm, pasi deklarata të nxituara ngjallin panic të panevojshëm. Në këto ditë është e rëndësishme të solidarizohemi për të tejkaluar situatën. Në lidhje me firmat kontraktore deri tani, kanë punuar siç duhet duke u angazhuar me punonjës shtesë dhe duke hedhur sasi të mëdha me kripë rreth 1 mijë tonë. Është e rëndësishme që qytetarët veçanërisht në zonat malore të perdorin zinxhirët”.

Ministri Dervishaj dhe deputeti Spahiu, kanë vijuar më tej në zonën e Maqellarë- Peshkopi, ku pati bllokime gjatë orëve të drekës. Dervishaj tha se pas një problematike rruga është hapur me një korsi dhe nuk ka asnjë makinë të bllokuar. Megjithatë problem mbetet era e fortë që kthen borën në rrugë. Megjithatë Ministri përsëriti faktin, se që të evitohen këto probleme drejtuesit duhet të përdorin zinxhirët sidomos në akse të veçanta.