Postuar më: 05 Janar 2017

Ministri Dervishaj inspekton Rrugën e Kombit. Janë marrë masa për qarkullimin normal të mjeteve

Ministri I Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka ndjekur situatën e krijuar në aksin kombëtar Milot- Morinë (Rruga e Kombit), si pasojë e rreshjeve të dëborës dhe ngricave të ditëve të fundit.

Ministri Dervishaj tha se Rruga e Kombit është e kalueshme dhe nuk paraqet asnjë problem në qarkullimin e automjeteve.

“Është ndërhyrë në çdo segment ku janë rregjistruar probleme në qarkullim si pasojë e ngricave dhe dëborës, dhe aktualisht qarkullimi në akset kombëtare në gjithë vendin është normal. Megjithatë jemi duke monitoruar situatën, për çdo problematikë që mund të kemi në vijim. Vetëm disa zona të qarkut Dibër, qarkullimi po kryet me vështirësi. Por kam besim se shumë shpejt dhe në këto zona do të rikthehet normaliteti në qarkullimin e mjeteve . Megjithatë drejtuesit e mjeteve gjatë këtyre ditëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën, pasi temperaturat e ulëta do të vijojnë”.

Dervishaj theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe drejtoritë rajonale të "ARRSH" dhe drejtoritë e tjera janë në gadishmëri maksimale, për të reaguar në rast të përkeqësimit të situatës.

Ministri më tej falenderoi edhe firmat kontraktore dhe punonjësit e tyre, për angazhimin e treguar gjatë këtyre ditëve.