Postuar më: 12 Janar 2017

Ministri Dervishaj në Qafë Muzinë, ska probleme në qarkullim

Ministri I Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka zhvilluar disa inspektime për të parë nga afër gjendjen e kalueshmërisë në aksin kombëtar Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë.

Ministri Dervishaj gjatë ndalesës në Qafën e Muzinës, tha se pavarësisht motit të ditëve të fundit, ka pasur një reagim të shpejt dhe gjendja e kalueshmërisë në këtë aks është optimale.

Ministri theksoi se ka pasur një angazhim maksimal si nga Ministria edhe nga drejtoritë rajonale të ARRSH, duke bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.

Dervishaj tha se pavarësisht motit të ditëve të fundit, me rreshje të dendura dëbore dhe temperature mjaft të ulëta, akset kombëtare në Jug të vendit, nuk kanë problematika në qarkullim. Por më problematike janë disa akse në Veri të vendit, prandaj duhet që angazhimi të vijojë dhe të solidarizohemi më shumë me zonat që kanë nevojë për ndihmë.

Por pavarësisht kësaj situate, Ministri tha se ka një koordinim të mirë të gjithë institucioneve Ministrisë, drejtorive rajonale, policisë rrugore dhe emergjencave.