Postuar më: 23 Shkurt 2017

Zëvendësministri Bahri Shaqiri merr pjesë në 70 vjetorin e krijimit të Komitetit të Transportit Tokësor. Firmoset rezoluta e vendeve anëtare të Komisionit të Ekonomisë për Europën në Kombet e Bashkuara

Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës Bahri Shaqiri ka marrë pjesë në 70 vjetorin e krijimit të Komitetit të Transportit Tokësor që u zhvillua në selinë OKB-së në Gjenevë.

Zëvendësministri Shaqiri gjatë vizitës, zhvilloi takime me Ministrin e Transportit të Malit të Zi Osman Nurkovic dhe me Ministrin e Transportit të Bosnje Hercegovinës Denis Lasic.

Gjatë takimit tre zyrtarët e lartë diskutuan për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe me Bosnje Hercegovinën. Palët ranë dakort që të rrisin bashkëpunimin në transportin hekurudhor, me qëllim marrjen e fondeve nga donatorë si Banka Botërore apo Bashkimi Europian.

Zëvendësministri Shaqiri, më tej firmosi në emër të Qeverisë Shqiptare, rezolutën e vendeve anëtare të Komisionit të Ekonomisë për Europën në Kombet e Bashkuara, me qëllim angazhimin e 55 vendeve anëtare për transport të qëndrueshëm tokësor, dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Rezoluta ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe donatorëve, për të përmirësuar dhe modernizuar format e transportit, duke aplikuar teknologjitë e reja, me qëllim ndërlidhjen sa më të mirë mes vendeve.

Gjatë vizitës zëvendesministri Shaqiri ishte i shoqëruar dhe nga zonja Filloreta Kodra ambasadorja shqiptare në Misionin e Kombeve të Bashkuara.